Zv/ministri i Financave, Agon Dobruna, ka bërë të ditur se e ka bojkotuar një konferencë rajonal të mbajtur në Tiranë.
Dobruna ka thënë se Tirana zyrtare e ka paraqitur Kosovën me rezolutën 1244 të OKB-së.
Ai ka thënë se pavarësisht kërkesave, gabimi nuk u përmirësua.
Postimi:
Javën e kaluar isha i ftuar për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Konferencën Rajonale të nivelit të lartë “Avancimi i Reformave në Kujdesin për Fëmijët: Eksplorimi i Kuadrit të Garancisë Evropiane për Fëmijët”, e mbajtur në Tiranë dhe e organizuar nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë. Për shkak të mënyrës së papranueshme të përfaqësimit të Republikës së Kosovës me fusnotën e ‘Rezolutës 1244 të OKB-së’, një fusnote e kundërt me atë që përdor Bashkimi Evropian dhe e cila ne formë të tillë është tërësisht e papranueshme, dhe faktit që edhe pas disa kërkesave deri më sot nuk pati asnjë ndryshim qasjeje nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Republikës së Shqipërisë, u detyrova të largohem nga konferenca dhe të mos e nënshkruaj deklaratën e parashikuar aty për nënshkrim nga mbi dhjetë shtete pjesëmarrëse.
Ngjarja kishte për qëllim nënshkrimin e Deklaratës së Angazhimit nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më gjërë, për të forcuar bashkëpunimin rajonal në fushën e të drejtave të fëmijëve dhe për të avancuar qasjen ndaj kujdesit dhe shërbimeve gjithëpërfshirëse për fëmijët.
Megjithatë, mënyra si u trajtua përfaqësimi i Kosovës ishte thellësisht zhgënjyese dhe e papranueshme për një shtet sovran, që kontribuon në mënyrë aktive dhe të barabartë në këto procese.
Pavarësisht kërkesës sonë të qartë dhe të drejtpërdrejtë për të korrigjuar këtë paraqitje, ajo u injorua, duke shkelur frymën e bashkëpunimit, respektit dhe barazisë që promovon vetë konferenca.
Kosova është një realitet i pamohueshëm ndërkombëtar. Ne jemi të përkushtuar thellësisht për të garantuar të drejtat e fëmijëve tanë, për të ndërtuar sisteme sociale gjithëpërfshirëse dhe për të kontribuar në paqe e stabilitet në rajon. Por kjo nuk mund të bëhet duke na mohuar subjektivitetin shtetëror, përmes një fusnote që bie ndesh me të vërtetën dhe me miqësinë që presim nga shtetet që na qëndrojnë pranë.
Përdorimi i fusnotës në këtë kontekst nuk është një çështje procedurale – është një çështje e dinjitetit kombëtar, e respektit dhe e trajtimit të barabartë, veçanërisht kur organizatori është një vend mik i Republikës sonë.