Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti është duke diskutuar me bordin e ZRRE-së, pas situatës së krijuar nga aktvendimi i Gjykatës së Apelit për tarifat e energjisë elektrike.
Në fillim të mbledhjes, kryesuesi i komisionit, Ferat Shala tha se “kërkesa e bordit të ZRRE-së ka qenë që ta kemi një takim konsultativ”, ndërsa tregoi se kërkesën e tyre e kanë pranuar. Më pas i ftoi mediat të dalin jashtë, raporton Gazeta Express.
Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka reguar për këtë, duke pyetur se “pse raportimi i ZRRE-së në Komisionin për Ekonomi duhet të jetë me dyer të mbyllura?!”.
“Pse publiku duhet privohet nga informatat për veprimet e ZRRE-së në përballje me krizën energjetike?! Çfarë sekreti shtetëror janë vendimet e ZRRE-së për tarifat energjetike?!”, ka pyetur Hoti.
“Kjo praktikë e raportimeve me dyer të mbyllura për çështje të zakonshme është e re dhe duhet të ndalet”, ka shkruar ai.
Ish-kryeministri tha se “publiku ka të drejtë të informohet plotësisht”.
“ZRRE-ja nuk është AKI, e as Polici apo FSK, të cilat sipas ligjit duhet t’i klasifikojnë informatat”, ka shkruar Hoti në Facebook.