- Partia Demokratike e Kosovës po kërkon nga Qeveria që të tregojë maturi në veprimet e saj në Veri, kurse unitet politik me opozitën karshi kësaj teme.
Këtë vlerësim, kjo parti e nxjerri të hënën në një mbledhje të përbashkët që mbajtën Kryesia dhe Grupi Parlamentar i PDK-së.
Subjekti më i madh opozitar u shpreh i gatshëm t`i dalë në ndihmë po qe nevoja kryeministrit Kurti.
“Në këtë situatë, koordinimi mes qeverisë dhe opozitës dhe harmonizimi i veprimeve institucionale, përfshirë këtu Kuvendin e Kosovës, si dhe konsultimet me partnerët ndërkombëtarë, janë të domosdoshme. Me këtë rast, PDK ka shprehur gatishmërinë për të komunikuar hapur dhe në vazhdimësi me Qeverinë rreth situatës së krijuar në pjesën veriore të vendit, si dhe për të ndihmuar institucionet në vazhdimin e ushtrimit të sovranitetit në çdo pjesë të territorit tonë”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.
PDK tutje vlerësoi se tërheqja nga detyrat dhe përgjegjësitë institucionale të zyrtarëve të komunitetit serb, cenojnë sovranitetin juridik të Kosovës dhe mbarëvajtjen e rendit publik.