Zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe janë kokëçarja më e madhe aktuale e politikës vendore. Çka duhet të dini për zhvillimet e deritashme?
“Një lugat po përndjek Kosovën këto ditë prilli – lugati i zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat veriore me shumicë serbe.” – mund të thotë dikush sot.
Këto zgjedhje edhe pse të parakohshme do të mbahen – thënë kushtimisht – pas kohe. Ato ishin shtyrë më datën 10 dhjetor nga presidentja Vjosa Osmani, duke e poshtëruar kësisoj shtetin e Kosovës. E gjithë kjo për shkak të mos-pjesëmarrjes së një partie të vetme, Listës Serbe.
Dhe, dita e zgjedhjeve të parakohshme që po mbahen pas kohe po afron. Është e diela e parafundit e muajit prill, 23 prilli.
Lista Serbe përsëri refuzoi që të merrte pjesë në këto zgjedhje, madje duke përdorur edhe fjalor të papërshtatshëm kur kërcënonte me “kryengritje të përgjithshme”. Ministri Xhelal Sveçla kishte kërkuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) dhe nga institucione të pavarura që të trajtonin nëse ky kërcënim ishte anti-kushtetues. As KQZ-ja e as Prokuroria nuk i kanë kthyer përgjigje Nacionales nëse po trajtonin një gjë të tillë.
22 prilli
22 prilli kishte qenë data e përmendur për një takim të nivelit të lartë në Bruksel mes presidentit serb Vuçiq dhe kryeministrit tonë Albin Kurtit.
“Pati një dakordim fillestar që takimi i radhës në nivel të lartë politik të mbahet me 22 prill, por që kjo nuk është edhe aq e sigurt sepse ka indikacione që presidenit i Serbisë nuk është i gatshëm; nuk mund të vijë në këtë datë, kështu që jemi duke e shqyrtuar një datë tjetër.” – ishte shprehur kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi pas takimit që kishte pasur me kryenegociatorin serb Petkoviq më 4 prill.
Megjithatë, shenjat se një takim i tillë mund të ndodhë një ditë para zgjedhjeve janë zbehur me kalimin e kohës.
Vuçiqi takoi Listën Serbe
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kishte takuar përfaqësues të politikës serbe më datën 7 prill.
Ai ka thënë se pas një jave (14 shkurt) do të dilnin me “konkluzione të përbashkëta” lidhur me zgjedhjet në veri të Kosovës.
Vuçiq kishte lënë të kuptohej se fjala e tij nuk ishte dëgjuar nga politikanët serbë nga Kosova (Lista Serbe).
“Ideja ime për të rënë dakord sot dhe për të dalë me qëndrime – nuk ishte e mundur, ndaj u tërhoqa,” – ishte shprehur ai.
KQZ-ja
KQZ-ja duket se po vazhdon me punën e saj.
Valmir Elezi ka bërë thirrje që në zgjedhjet e 23 prillit të ketë dalje sa më masive në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
“Nuk ka të vendosur ndonjë prag zgjedhor, përmes të cilit do të kërkohej një pjesëmarrje e caktuar e votuesve në një proces zgjedhor.” – u shpreh ai.
Kjo nënkupton, se edhe nëse dalim vetëm 10 votues zgjedhjet do të ishin të rregullta.
Megjithatë, ende nuk dihet se si do të kryhen edhe disa punë të rëndësishme logjistike sa i përket mbarëvajtjes së zgjedhjeve. Portali Demokracia ka raportuar sot se zgjedhjet në veri mund të mbahen në shatorë dhe stacione policore, por deri tash Nacionale nuk ka arritur ta verifikojë informacionin.
Kjo ka shtyrë profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare, z. Avdi Smajljaj, që të tallet me një gjë të tillë duke shkruar si vijon:
“Nëse është koha e mirë, nuk bie shi, zgjedhjet mund të mbahen edhe pa shatorë, jashtë në natyrë mund të vendosen karrige dhe tavolina.”