Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka takuar komandantin e KFOR-it, gjeneral-majorin Angelo Ristuccia.
Lajçak tha se është informuar për situatën e sigurisë në veriun e Kosovës.
“Jam takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneral-majorin Ristuccia sot në Bruksel për të shkëmbyer të reja në fushat tona përkatëse të përgjegjësisë. Jam falënderues për bashkëpunimin tonë të ngushtë dhe për informatat e vlefshme për situatën e sigurisë në veri të Kosovës”, shkroi Lajçak në Twitter.
Zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan do të mbahen me 23 prill.
Nga këto zgjedhje do të zgjidhen katër kryetarët e rinj të komunave dhe dy përbërje të reja të asambleve komunale.
Në këto zgjedhje nuk do të marrë pjesë Lista Serbe.
Në garë për kryetarë të këtyre komunave do të jenë 11 kandidatë prej të cilëve 2 janë të komunitetit serb.
Subjektet politike të cilat garojnë për të fituar këto komuna janë: Iniciativa qytetare Mitrovica, Partia Demokratike e Kosovës, Partia e Serbëve të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, si dhe një kandidate e pavarur.