Ka nisur këtë të hënë dërgimi i dokumentacionit zgjedhor/fletës së votimit për zgjedhësit jashtë Shqipërisë.
Materialet e para që u dërguan ishin ato të qarqeve Dibër dhe Berat, ndërsa nga sot dhe në vijim çdo ditë në mëngjes posta do të dërgojë fletët e votimit jashtë vendit.
Pra, operatori i shërbimit postar do të dërgojë çdo ditë materialet zgjedhore të bëra gati nga administrata e KQZ-së.
120 persona po punojnë me tre turne në qendrën për votimin nga jashtë, në mënyrë që të bëhen gati zarfet me materialet zgjedhore që do t’u dërgohen votuesve të regjistruar në diasporë.
Fleta e votimit e qarkut nga ku vjen qytetari, pasi është vulosur dhe futur në një zarf të anonimizuar A, futet pastaj në një zarf më të madh B, i cili mban të dhënat e koduara të çdo zgjedhësi.
Më pas, kompania postare e merr zarfin B, e fut në zarfin e verdhë të postës, bashkë me një udhëzues, një listë me kontakte të kompanisë nëpër botë, si dhe një zarf tjetër postar për kthimin e votës.