Që nga lindja, Olesya Kulikova i ka kaluar ditët e saj me shtrime të vazhdueshme në spital, me një mori problemesh shëndetësore. Nga pneumonia, astma bronkiale dhe dhimbjet e forta të stomakut, tashmë 27-vjeçarja ka pasur disa arsye nga më të ndryshmet të shtrimit në spital. Megjithatë, mjekët nuk ishin në gjendje t’i jepnin një diagnozë deri në vitin 2009, kur zbuluan se organet e saj ishin në vendin e gabuar.
Olesya vuan nga një gjendje e rrallë e njohur si situs inversus totalis, një anomali që karakterizohet nga një përmbysje pasqyre e organeve thelbësore. Sëmundja shfaqet në rreth një në 10,000 njerëz që lindin me këtë gjendje dhe kemi rastin e Olesyas, e padiagnostikuar për 13 vjet. Zakonisht problemi zbulohet përmes rrezeve X, CT, MRI ose ultrasonografisë. Ajo tha se ishte 14 vjeçe kur zbuloi se zemra e saj ishte në anën e djathtë të trupit. Pastaj katër vjet më vonë, në moshën 18-vjeçare, i thanë se mëlçinë e kishte në të majtë.
Olesya, nga Achinsk, Rusi tha se kishte qenë në spital në vitin 2019 për pneumoni, kur mjekët i thanë asaj se mushkëritë e saj ishin të vendosura në një “pozicion pasqyre”.
“Sa herë që kaloj një ekzaminim mjekësor, më duhet të shpjegoj se zemra ime është në të djathtë, jo në të majtë si të gjithë njerëzit.
Unë nuk kam tatuazhe, dokumente apo bizhuteri që mund të paralajmërojnë mjekët nëse humbas vetëdijen. Gjatë elektrokardiogrameve, një test që kontrollon ritmin e zemrës, duhet t’u them mjekëve që t’i vendosin elektrodat në të djathtë”- tregon ajo.
Në vitin 2021, Olesya u diagnostikua me sindromën Kartagener, e cila është një gjendje e trashëguar që shkakton vështirësi në lëvizjen e mbetjeve dhe lëngjeve nga mushkëritë. Për shkak të kësaj, ajo thotë se ka pasur pneumoni katër herë, ka astmë bronkiale, gulçim dhe kollë të vazhdueshme.
Në prill të këtij viti Olesya shkoi në spital me dhimbje stomaku dhe vetëm më vonë i thanë se në të vërtetë kishte gurë në veshka. Për të trajtuar problemet e saj, Olesya filloi të shkojë në palestër ku shpreson t’i ndihmojë mushkëritë e saj të “punojnë siç duhet” dhe deri më tani, e ka pasur më të lehtë frymëmarrjen.
Ajo pohon se gjendja e saj është një anomali dhe për këtë arsye, nëse persona në këtë gjendje ngelin shtatzënë, mjekët u thonë që ta ndërpresin.
Olesya, e cila është personi i vetëm në familjen e saj me këtë sëmundje, shtoi se më parë kishte takuar një grua me të njëjtën gjendje, e cila i tha asaj se nëse foshnja do të mbijetonte, mund të lindte me aftësi të kufizuara. Pavarësisht se nuk ka ende fëmijë të saj, ajo tani po përpiqet të rrisë ndërgjegjësimin për sëmundjen, për t’i bërë njerëzit të ndihen më pak të vetmuar.