Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka thënë veprimet e fundit të qeverisë së Kosovës në procesin ne dialogut kanë qenë të panevojshme, të dëmshme e populiste.
Ai ka thënë se kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë tregon qasje jo serioze dhe paaftësi të qeverisë përballë përgjegjësisë shtetërore.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Zemaj ka thënë se rruga e vetme që garanton suksesin e Kosovës është bashkërendimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur qartazi brengën por mbi të gjitha tendencën e kësaj qeverie në mënyrën më të papërgjegjshme në raport me qasjen në dialog. E kemi theksuar edhe më parë, po potencojmë edhe sot, rruga e vetme që garanton suksesin e Kosovës është bashkërendimi i ngushtë dhe i përhershëm me partnerët strategjik veçmas me shtetet e bashkuara të Amerikës. Atë që ka ndodhur ditët ose dy javët e fundit e kemi parë të panevojshëm, të dëmshme, tepër popullsite, gjatë këtyre javëve në tërësi, si nga qeveria, si nga akterët tjerë të kësaj mazhorancë. Kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë tregon qasjen jo serioze dhe paaftësinë tuaj përballë përgjegjësive shtetërore që keni në raport me vendin dhe qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Zemaj.
Në seancën e Kuvendit, Zemaj ka kërkuar edhe rishikimin e vendimit të qeverisë përmes së cilit janë ulur pagat për gjyqtarët dhe prokurorët.
Këtë ai e ka quajtur ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.
“Ulja e pagave gjëja në kthimi ne ligjshmërisë është arbitrare, është ndërhyrje e mbrapsht në sistemin e drejtësisë. Derisa qeveria e Republikës së Kosovës, ministra të veçantë kanë mundësi që të paguajnë deri në 5 mijë e 600 euro një këshilltar në pjesën të quajtur profesionale, si është e mundshme që prokurorët dhe gjyqtarët që e luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsioni, prokurorët të cilët ndjekin raste të rënda dhe gjyqtarët që japin dënime kapitale ju ulët paga në nivel të asistentit të kryeministrit, kryetarit të kuvendit dhe të presidentit të vendit, kjo është e papranueshme, e pa tolerueshme, është e dëmshme, i dëmton sistemet e drejtësisë, e dëmton luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe i dëmton të gjitha të arriturat e deritashme”, ka thënë ai.