Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi të premten se Ukraina do të fillojë një traditë të re të organizimit të iftareve zyrtare gjatë Ramazanit.
Zelensky e dha këtë njoftim, kur mori pjesë në iftarin e parë “zyrtar” të premten me disa ushtarë myslimanë, përfaqësues të trupave diplomatike e një organizatë të tatarëve të Krimesë në qendër të Kievit.
Presidenti e falënderoi komunitetin mysliman për mbrojtjen e Ukrainës, raporton “Kyiv Independent”.
“Dhe me këtë, ne pohojmë se Ukraina e vlerëson secilin person, secilin komunitet”- tha Zelensky, duke shtuar se diversiteti është pjesë e karakterit të Ukrainës.