Disa punëtorë nga Kosova dhe Shqipëria kanë ngritur akuza serioze ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Arban Abrashi, duke e akuzuar atë për mashtrim. Ata pretendojnë se ish ministri iu ka mbetur borxh mijëra euro duke mos mbajtur premtimet e pagesës dhe marrëveshjes nga kompania e transportit që ai drejton në Suedi.
Arban Abrashi, i cili ka shërbyer si ministër i Infrastrukturës për rreth nëntë muaj, është aktualisht Drejtor i kompanisë “AriS Transport AB”, e regjistruar në Suedi që nga viti 2019.
Së bashku me bashkëpunëtorin e tij, Egzon Kapuqi, ata kanë marr punëtor nga Kosova për t’i punësuar si shofer në kompaninë e tyre në Suedi.

Mirëpo, sipas dëshmive të siguruara nga Gazeta Insajderi, realiteti që punëtorët kanë gjetur në Suedi ka qenë i ndryshëm nga premtimet e dhëna nga Abrashi. Ata kanë denoncuar tek Gazeta Insajderi për mospagim rrogash, mungesë të kushteve bazë dhe ndërprerje të njëanshme të kontratës.
Dëshmitë e punëtorëve: Mashtrim dhe borxhe të pashlyera
Njëri prej punëtorëve, i identifikuar me inicialet N.H., tregon se ka udhëtuar nga Kosova për të punuar në Suedi si shofer në kompaninë e Abrashit. Ai thotë se Arban Abrashi dhe Egzon Kapuqi i kanë mbetur borxh rreth 6 mijë euro, ndërsa komunikimi me ta është ndërprerë plotësisht.
“Për rrogë pritem pak”, ishte mesazhi i fundit që ka marrë nga Abrashi, përpara se thirrjet e tij të mbeteshin pa përgjigje.

Për shkak të problemeve ligjore të kompanisë “AriS Transport AB” me autoritetet suedeze, shteti suedez ka ndërhyrë duke detyruar kthimin e tij në Kosovë.
Edhe Gazmend Blida, një tjetër shofer nga Elbasani, dëshmon për shkelje të kontratës nga ana e Abrashit. Ai pohon se kontrata e punës iu ndërpre në mënyrë të njëanshme dhe papagesë të pushimit.
Heshtje nga të akuzuarit
Gazeta Insajderi ka kontaktuar si Arban Abrashin ashtu edhe Egzon Kapuqin për të marrë një përgjigje lidhur me akuzat e ngritura. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, asnjëri prej tyre nuk ka dhënë përgjigje.
Gazeta Insajderi është në kontakt me punëtorë të tjerë që pretendojnë se janë mashtruar dhe nuk janë paguar nga kompania e drejtuar nga ish-ministri. Në ditët në vijim, do të publikohen rrëfime të reja që thellojnë më tej këtë çështje.
Insajderi sjell rrëfimet ekskluzive të ish shoferëve: