Aksidentet në trafik janë një ndër dukuritë më shqetësuese në vendin tonë. Ato zakonisht ndodhin për shkak të pakujdesisë së shoferëve që rrezikojnë të gjithë pjesëmarrësit tjerë në komunikacion, mosrespektimit të rregullave të trafikut e për shkak të shpejtësisë. Si pasojë e shpërqendrimit dhe pakujdesisë të shoferëve, viktima në shumë raste janë edhe këmbësorët, raporton Gazeta Sinjali.
Një aksident trafiku ka ndodhur dje në rrugën ‘UÇK’ në fshatin Bllacë të komunës së Suharekës, ku një veturë ka goditur një vajzë të mitur, por shoferi kishte ikur nga vendi i ngjarjes.
Pas hetimeve të ndërmarra nga ana e Policisë, është identifikuar shoferi i dyshuar, R.I., 17-vjeçar, nga Suhareka, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin, ku për pasojë viktima kishte pësuar lëndime trupore.
Si pasojë e aksidentit, vajza e mitur ka marrë lëndime trupore dhe është dërguar me urgjencë në Emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë, ku ka marrë trajtimin e nevojshme mjekësor.
Kurse pas dhënies së ndihmës së parë, ajo është transferuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.