Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në rrugën ‘Besa Besë’ në Fushë Kosovë, ku një person i moshuar dyshohet se ka shtënë me armë zjarri duke lënë të plagosura dy gra të moshave 64 dhe 44-vjeçare, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari është Sabit Islami, 69-vjeçar.
Islami dyshohet se me të kryer veprën, është arratisur nga vendi i ngjarjes me veturën e tij dhe i njëjti është shpallur në kërkim policor.
Por si ka ndodhur e gjithë ngjarja?
Sinjali mëson se rasti i rëndë ka ndodhur derisa viktima 44-vjeçare M.A., ishte në veturë duke e pritur nënën e saj F.G., dhe në atë moment për motive ende të panjohura, i dyshuari Sabit Islami, ka shtëë me armë zjarri në drejtim të saj.
Me qëllim që t’i privojë nga jeta, Islami dyshohet se ka shtënë tri herë me armë në drejtim të 64-vjeçares, e cila sipas mjekut kujdestar në Emergjencën e QKUK-së, ka pësuar lëndime serioze, por që është jashtë rrezikut për jetë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se 44-vjeçarja ka marrë plagë në të dy duart, ndërsa 63-vjeçarja është dërguar atje në gjendje të rëndë për shkak të plagëve që kishte marrë në bark dhe këmbë.
Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja e viktimës M.A., është stabilizuar dhe është jashtë rrezikut për jetë, ndërsa për shkak të gjendjes më serioze, 64-vjeçarja i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit. Po ashtu ata kanë marrë të gjitha veprimet hetimore që sa më shpejt të lokalizohet vendndodhja e të dyshuarit dhe të bëhet arrestimi i tij.
Policia në koordinim me Prokurorinë kanë kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit në fshatin Nakaradë, por që Islami nuk është hasur aty.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vrasje e rëndë në tentativë’ dhe Islami do të hetohet edhe për ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.