Xhamitë në qytete të ndryshme të Kosovës shpeshherë janë cak i hajnave, të cilët ua vënë syrin gjërave me vlerë, e sidomos arkave të cilat vendosen me para të dedikuara për bamirësi ose për kursime. Dhjetëra raste të tilla kanë ndodhur në Ferizaj këtë vit dhe për disa prej tyre po dyshohet i njëjti person, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se për së paku katër vjedhje të rënda në disa lokacione në Ferizaj tashmë është arrestuar një person. Sinjali mëson se bëhet fjalë për Ll.S., (32-vjeçar), i cili është kapur sot, në shtëpinë e tij në Shtime.
Pas arrestimit dhe verifikimit, u zbulua se i dyshuari ka kryer vjedhje në xhaminë e vogël në rrugën “Ramadan Ferizi”, në xhaminë e fshatit Kosi, xhaminë në rrugën “Hamëz Jashari”, ai dhe në xhaminë e fshatit Slivovë.
Rastet për këto vjedhje veçse kanë qenë duke u hetuar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, teksa ende nuk dihet nëse i dyshuari ka kryer edhe vjedhje të tjera.
Ndaj të njëjtit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin prej 48 orësh dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor./GAZETAPAPIRUS/