Një kërcënim për bombë përmes postës elektronike në adresë të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka alarmuar drejtuesit e këtij institucioni dhe Policinë e Kosovës.
Pas alarmit për një mjet shpërthyes në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, njësiti anti-bombë i Policisë së Kosovës, ka mbërritur në vendin e ngjarjes.
Demokracia.com ka siguruar e-mailin kërcënues.
Ky e-mail ishte dërguar nga adresa sender@5ymails.com.
Në subjekt ishte shkruar “Bomb Hasan Prishtina”, shkruan Demokracia.com.
Në e-emailin e shkruar në gjuhën angleze thuhet: “Bomba në Hasan Prishtina do të shpërthejë tani”.
E-maili kërcënues kishte arritur në adresën rektoarti@uni-pr.edu kishte shkuar në ora 13:45.
Lajmi se Rektorati i UP-së është kërcënuar me bombë është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka thënë se Policia është në vendin e ngjarjes dhe kanë filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për ta menaxhuar situatën.
“Rreth orës 16:00, është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Rektoratin e Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Informacionet e para flasin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike”, tha Borovci.
Për kërcënimin për Demokracia.com ka folur edhe rektori i UP-së, Naser Sahiti.
“Administrata (e Universitetit) e ka pranuar një e-mail anonim për një bombë, prandaj policia e kanë rrethuar objektin”, ka thënë Sahiti.
Ai ka shtuar se nuk e dinë se prej kujt ka ardhur ky kërcënim. /Gazeta Papirus/