Në zonën e Vaut të Dejës, konkretisht në fshatin Vig të Shqipërisë, janë zbuluar dy raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike.
Policia njoftoi se në kuadër të një operacioni masiv që do të shtrihet në të gjithë vendin “shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, me përdorimin e dronit, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë evidentuar në dy zona të shpyllëzuara në territorin e fshatit Vig, 2200 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa të kultivuara në tokë dhe 578 fidanë të dyshuar narkotikë kanabis sativa të kultivuar në kubikë”.
Sipas Policisë “një pjesë e bimëve dhe e fidanëve u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua me djegie”.
“Vijon puna për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorit/ve të kultivimit të bimëve dhe fidanëve”, njoftoi Policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme./Gazeta Papirus/