Eksperti për çështje të drejtësisë penale, Lachezar Yanev, nga Universiteti Vrije në Amsterdam thekson se në qendër të akuzës së Prokurorisë për “ndërmarrje të përbashkët kriminale” duhet të jetë një plan i përbashkët dhe se “prokuroria e ka të vështirë të përcaktojë se cilat janë krimet thelbësore që të bashkëakuzuarit ranë dakord”, transmeton Demokracia.com.
“Prokuroria po thotë se në thelb kishte një ndërmarrje shumë të madhe të përbashkët kriminale që ndahej mes Hashim Thaçit dhe disa zyrtarëve të lartë të UÇK-së dhe oficerëve të radhës në terren. A është e mundur edhe kjo, që të gjithë këta njerëz – po flasim për qindra njerëz – po mblidheshin dhe kishin një komplot të përbashkët kriminal për të kryer një krim?” ka pyetur ai.
“Prokuroria e sheh këtë dhe në alternativë thotë se disa nga këta anëtarë në fakt nuk kanë qenë anëtarë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, por janë përdorur si “mjete” nga të tjerët për të kryer këto krime. Kjo është shumë më realiste”, thotë Yanev, në një analizë të një prej platformave më të mëdha ndërkombëtare “Justice”, që merret me çështje të drejtësisë ndërkombëtare.
Duke analizuar akuzën për ndërmarrje të përbashkët kriminale, ai thekson se “një paqartësi e tillë mund t’i japë mbrojtjes mundësinë për të vënë në dyshim nëse një ndërmarrje e përbashkët mund të vërtetohet fare”, ka thënë ai.
Akuza e Prokurorisë së Gjykatës Speciale kundër krerëve të UÇK-së është një nga betejat më kryesore me mbrojtjen e ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Mbrojtja tashmë ka kundërshtuar si të paqëndrueshme këtë akuzë.