Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Xhemshit Krasniqi, ka ndarë në profilin e tij në Facebook një postim lidhur me vizitën e tij në Bashkësinë Islame në Prizren.
Gjatë kësaj vizite, Krasniqi falënderoi Dr. Orhan ef. Bislimaj për pritjen dhe vlerësoi rolin thelbësor që Bashkësia Islame ka në zhvillimet shoqërore të qytetit, shkruan Gazeta Papirus.
Ai theksoi rëndësinë e frymës së paqes dhe tolerancës ndërfetare dhe ndëretnike që karakterizon Prizrenin, duke e cilësuar atë si një model tradicional të vlerave kulturore dhe shpirtërore. Krasniqi nënvizoi kontributin e udhëheqësve fetarë në forcimin e bashkëpunimit dhe promovimin e respektit e dashurisë për vlerat njerëzore.
Në postimin e tij, Krasniqi premtoi se, nëse zgjidhet deputet, do të angazhohet që kërkesat dhe shqetësimet e bashkësive fetare të reflektohen në ligjet që mbulojnë fushën fetare.
Ai gjithashtu propozoi që ekspertët e Bashkësisë Islame të jenë pjesë e grupeve punuese për hartimin e akteve ligjore dhe nënakteve që rregullojnë këtë fushë.