Kandidati për deputet i PDK-së, Xhemshit Krasniqi, ka shpërndarë një mesazh të fuqishëm në rrjetin social Facebook, duke theksuar rëndësinë e prodhuesve vendorë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, shkruan Gazeta Papirus.
Krasniqi, pas një vizite në kompaninë agro-biznes “Prizdrijana” në Prizren, ka ngritur shqetësimin për mungesën e prodhimeve bujqësore nga fermerët e Kosovës.
Ai theksoi se ardhja në pushtet e PDK-së do të nxisë rrjetin e fermerëve, duke ofruar mbështetje të reja për rritjen e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale.
Sipas Krasniqit, kjo do të realizohet nëpërmjet skemave mbështetëse më të efektshme, si subvencionet për sasi prodhimi dhe mbështetje financiare për prodhuesit dhe përpunuesit. Këto masa, thotë ai, do të ulin ndjeshëm kostot e prodhimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore, duke kontribuar në rritjen e zhvillimit të sektorëve përkatës.
Po ashtu, Krasniqi theksoi se grantet për sektorin e bujqësisë dhe agro-përpunimit do të jenë pjesë e planit të tij të qeverisjes me Bedri Hamzën si Kryeministër.