Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi do të donte një kryenegociator më të moshuar dhe më me eksperiencë nga pala serbe në dialog. Ai tha se nuk ka pirë kurrë kafe me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq.
Bislimi për këtë të fundit në Komisionin për Punë të Jashtme u pyet nga deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, raporton Gazeta Express.
“Ajo që do të më interesonte mua dhe ndoshta të gjithëve. Në takimet që i zhvilloni, a bisedoni ndonjëherë delegacionet kështu shlirë apo vetëm përmes atij.. Z. Lajçak, apo uleni edhe në tavolinë me pi kafe dhe me u mundu me e bindë njëri-tjetrin për këto çështje për të cilat keni bisedu”, e pyeti Haliti.
Ndërsa përmendi disa takime që tha se kanë qenë “pakëz të tensionuara”, Bislimi e përshkroi rolin e Petkoviqit në bisedime.
“Nuk kemi pasë kurrë asnjë kafe të përbashkët apo si thatë ju me bisedu haptas me palën serbe për arsye se numri i takimeve ka qenë i vogël dhe kanë qenë pakëz të tensionuara. Por edhe mendoj që ekziston një arsye për këtë. Z. Petkoviq nuk është i pajisur me kompetencë për me marrë vendime, dhe rrjedhimisht është problem me të me diskutu për arsye se ai vetëm i regjistron ato dhe pastaj konsultohet me Beogradin. Nuk ka autorizim për të negociuar dhe arritur marrëveshje”, tha ai.
Bislimi tha se ky është “obstruksion i vetë procesit”. Ai përmendi moshën e Petkoviqit si një arsye për mosusksesin e dialogut.
“Mendoj që me pasë qenë dikush që është pak më në moshë dhe më me eksperiencë, ndoshta edhe procesi kish me qenë më konstruktiv dhe më produktiv”, tha Bislimi.