Xhamia “Bedri Kamberi” që gjendet në “Lagjen e Spitalit” në Prishtinë do të ofrojë edhe këtë vit iftare falas çdo ditë përgjatë gjithë muajit të shenjtë të Ramazanit.
Imami i kësaj xhamie, Labinot Maliqit, ka thënë se kjo është një traditë e tyre e cila nuk është bërë vetëm gjatë dy viteve të pandemisë për shkak të kufizimeve dhe rekomandimeve të IKSHPK-së dhe ministrisë së Shëndetësisë.
“Këtë vit kemi vendosur që ta vazhdojmë këtë traditë, një Ramazan me më pak strese sesa që ishin Ramazanet gjatë viteve të fundit për shkak të pandemisë. Këtë vit do të shtrojmë iftar që nga dita e nesërme deri në ditën e fundit të muajit të bekuar të Ramazanit. Këto iftare janë të hapura, por nga përvoja që kemi pasë në Ramazanet e kaluara zakonisht vijnë kryesisht studentët”.
Ai, në Klan Kosova, ka treguar se tendën ku do të shtrohen iftaret e kanë siguruar nga kampi amerikan në Kosovë “Bondsteel”.
“Këtë Ramazan e kemi një risi të bukur, për çka i jemi shumë mirënjohës kampit amerikan “Bondsteel” të cilët e kanë mundësuar tendën e cila do të qëndrojë gjatë tërë Ramazanit”.
“Përveç që është shumë i bereqetshëm në vetvete ky muaj i bekuar Zoti e ka mundësuar që t’i shtohet bereqeti këtij muaji edhe me një kohë të freskët dhe me shi dhe sipas të gjitha gjasave kjo kohë e freskët dhe herë pas here me shi do ta shoqërojë gjithë muajin, kështu që kjo nuk do të përbëjë problem që të shtrojmë iftaret çdo ditë për shkak të tendës”.
Për iftaret që do të shtrohen gjatë këtij Ramazani do të ketë risi.
Jemi duke menduar që të organizojmë disa iftare me personalitete të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare dhe natyrisht që do të kemi nderin që të mirëpresim të gjithë ata të cilët do t’i ftojmë. Mendoj që do ta kemi nderin të ftojmë edhe mysafirë nga kampi amerikan “Bondsteel”, ambasadorin amerikan Hovenier dhe ambasadorë të tjerë në Kosovë”.
“Do të kemi iftare edhe me personalitete të larta vendore dhe ndërkombëtare, pa përjashtuar mundësinë që t’i ftojmë edhe ata që po na e zdritin fytyrën në arenën ndërkombëtare, duke përfshirë sportistët në mënyrë të veçantë”.
Por, kush i financon këto iftare?
“Çdo ditë i kemi pasë minimalisht 100 persona, derisa shohim se këtë vit interesimi është dukshëm më i madh. Jemi të përgatitur që të pranojmë 150 -200 persona, ndërsa pagesat e këtyre iftareve i bën vetë xhemati për çka ne bëjmë thirrje që kushdo që dëshiron që të kontribuojë dera është e hapur për ta bërë të mundur shtrimin e iftareve”.