Drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi, ka shprehur shqetësim për pengesat e shkaktuara nga Ministria e Financave në projekte kyçe për kryeqytetin.
Xhaferi në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se dy projekte të rëndësishme, unaza e kryeqytetit dhe nënkalimi “Agim Ramdani”, janë bllokuar për më shumë se dy vjet, duke penguar përparimin e infrastrukturës.
“Kemi pasur shumë pengesa, përmbi dy vjet është unaza e kryeqytetit e cila ka nevojë vetëm për një garancinë të kredisë me dhënë kryeministri aktual për me pasur ne si Prishtinë unazës, pra për me nisur procesin e tenderimin e cila është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse tërë këto kolona krijohet një situatë e re e komunikacionet brenda Prishtinës. Flasim për projektin ne kemi dy projekte të bllokuara, në nënkalimin ‘Agim Ramdani’ dhe platformën e ‘Pallatit të Rinisë’ me Arbërinë. Rruga A ka qenë po ashtu një proces i jashtëzakonshëm me tendenca politike, të bllokadave, po flasim për bartjet e mjeteve nga viti 2022-23, i kemi 28.5 milionë euro të bllokuara nga Ministria e Financave. Flasim për shumë projekte të cilat janë bllokuara nga nivelet qendrore dhe nuk e kuptojë logjikën e cila e ka përcjelle këtë bllokadë, sepse ne nëse e bllokojmë njëri-tjetrin, atëherë nuk kemi zhvillim të investimeve, infrastrukturës dhe jemi mbrapa në këtë kontekst”, ka thënë Xhaferi.
Po ashtu, Xhaferi theksoi se 28.5 milionë euro janë bllokuar nga Ministria e Financave, duke krijuar bllokada të panevojshme.
“Ne nuk duhet ta bllokojmë të shtyhemi për projekte, nuk mund të të tolerojmë të shtyhemi për procedura të cilat nuk janë në rregull. Ne ia kemi dalur shumë mirë sepse kemi nisur projekte të mëdha dhe kemi punuar shumë, në anën tjetër cdo gjë ka qenë tendencë poltiike dhe për inate politike të cilat kujtoj që nuk duhet të jenë pjesë e tavolinave tona, të cilat duhet të jemi të hapur në kuptim të ecjes përpara. Këto nuk na qojnë përapra nëse ne mendojmë globalisht”, ka theksuar ai.