Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka mori pjesë në takimin jo zyrtar dyditor të Këshillit të Atlantikut të Veriut (NAC), në format të ministrave të Jashtëm, mbajtur në Berlin këtë fundjavë.
Takimi, i cili i paraprin samitit të NATO, në fund të muajit qershor në Madrid, u fokusua te Ukraina, pasojat e agresionit rus mbi sigurinë e aleancës, anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë si dhe konceptin strategjik i NATO.
Ministrja Xhaçka nënvizoi mbështetjen për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë, për të cilat Shqipëria po merr masa që së shpejti të nisin procedurat përkatëse.
“NATO duhet të vijojë politikën e dyerve të hapura për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën e cila ndan të njëjtat vlera, si një kontribut i sigurisë së Evropës në tërësi”, tha Xhaçka, raporton a2news.
Sa i takon situatës në Ukrainë, ministrja Xhaçka tha se bashkimi është çelësi i sigurisë kolektive të aleancës, ndërsa në vijim të mbështetjes që Shqipëria i ka dhënë Ukrainës, bëri me dije se vendi ynë do të jetë pjesë e grupit të ri të luftimit në Bullgari.
“Të gjithë do të bëjmë gjithçka mundemi t’i japim Rusisë mesazhin e aleancës së bashkuar”, u shpreh Xhaçka./GazetaSinjali