Kërcënimet e shantazhet që thotë se erdhën nga Beogradi, s’ia ndryshuan mendjen, Radojica Radomiroviq.
Ai ishte një nga veç shtatë serbët e Leposaviqit që të dielën doli të votojë.
Radomiroviç edhe garon për asamble komunale me partinë e Aleksandër Jabllanoviq, me të cilin s’po pajtohet për tëheqjen nga gara zgjedhore, njofton Klan Kosova.
“Ky ka qenë rast i madh për neve serbët që t’i ndryshojmë gjërat këtu në Leposaviq. Mirëpo, ka qenë një presion i madh nga Beogradi ndaj Jabllanoviqit, dhe unë e mirëkuptojë tërheqjen e tij. Ka pasur kërcënime, shantazhe se nuk mund të shkojmë më në Serbi, as ne që votojmë, as bashkshortet e fëmijët tanë”, u shpreh ai.
Në Jashanicë votoi edhe një kandidat tjetër për asamble nga ky subjekt që nuk deshi të xhirohej, por kurrkush prej tyre nuk doli në Jarinje. Tre serb tjerë që këtë të drejtë e shfrytëzuan në qendrën e votimit në qytet, Klani merr vesh se votën ia qitën Vetëvendosjes.
Më e madhe përkrahja për kandidatin e këtij subjekti, Lulzim Hetemi, ishte në fshatërat shqiptare, Koshtovë e Bistricë, që e përcaktuan atë fitues krahas Albulena Hetemit të PDK-së.
Ai mori 100 vota e kundërkandidatja e tij 34. Ani se ishin mbi 300 shqiptarë me të drejtë vote, fituesi e cilëson të kënaqshme daljen, që i sheh si të mjaftueshme për të qeverisur komunën./klank