Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës. Partia në pushtet, u ankua për gjuhën e partisë së Lumir Abdixhikut.
Fillimisht, PZAP në vendim ka njoftuar se ka refuzuar ankesat kundër LDK-së, të cilat janë paraqitur për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Në arsyetim, PZAP tregon se VV u ankua për deklaratat e Abdixhikut, i cili cilësoi VV-në si “popullista nervoz” dhe “hajna”.
“Në ankesën Anr.370/2025, pretendohet se me 4 Shkurt 2025, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE në Prishtinë, gjatë monitorimit të tubimeve politike, kanë vërejtur gjuhë denigruese dhe fyese nga kandidati për deputet z. Lumir Abdixhiku, në tubimin e mbajtur në qytetin e Obiliqit, me datë 02.02.2025 të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), me çka mandatin e fundit qeverisës dhe qeverinë Kurti e quan me terme të rënda dhe akuzuese si: “qeveria ka vendosur vendin në sanksione ndërkombëtare e zbrazje kombëtare “popullista nervoz (quan anëtarët e LVV-së)” e mbajnë shtetin peng për teke të tyre”, “hajna” dhe akuzon për shtypje e kërcënim”. Ndërsa në ankesën Anr.371-2025 nga njëjti subjekt politik me pretendime për të njëjtin kandidat për deputet të subjektit politik LDK, Lumir Abdixhiku është përfshirë deklarata e tij në tubimin e lartcekur siç theksohet në ankesë, me çka mandatin e fundit qeverisës dhe Kryeministrin Kurti i quan “hajn cep më сер”, duke akuzuar edhe fyer me termin “hajn” dhe duke nxitur urrjetje ndaj sloganit të tyre në zgjedhje “cep më сер”” – thuhet në vendim.