Të shtunën në mesditë është inauguruar presidenti i ri i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ceremoni në të cilën morën pjesën mbi 200 figura të larta nga rajoni e më gjerë.
Në mesin e tyre ishte edhe presidentja Vjosa Osmani, fakt i cili nuk i pëlqeu homologut të saj nga Serbia, Aleksandar Vuçiq.
Sipas raportimeve të mediave serbe nga Podgorica, Vuçiqi ka thënë se nuk është i lumtur për shkak të pjesëmarrjes së presidentes Osmani në forume të ndryshme.
“Ju e dini çfarë shkruan në Kushtetutën e Serbisë. Jo pse kam diçka personalisht kundër saj, por për shkak të gjithçkaje tjetër. Por, megjithatë, erdha. Nëse veç pyetni për gjëra protokollare, diku kam shkuar, diku jo. Do ta shihni këtë”, tha ai, transmeton Klankosova.tv.
“Desha të shpreh respekt dhe të tregoj se sa është e rëndësishme për ne që në Mal të Zi kemi një mik të vërtetë. Çdo përparim për ne është i rëndësisë së veçantë. E kam kuptuar Milatoviqin që dëshiron forcim të lidhjeve ekonomike, edhe njëri edhe tjetri jemi në rrugën evropiane. Kemi disa dallime, jo vetëm për rajonin, por kjo s’mund të jetë pengesë e raporteve miqësore. Unë ndonjëherë do të guxoja të thosha edhe marrëdhënie vëllazërore”, përfundoi Vuçiqi.
Osmani ndërkaq e ka uruar Jakov Milatoviqin, pas betimit të tij si president i ri i Malit të Zi.
Ajo ka thënë se e ka përgëzuar me besimin se përgjatë mandatit të tij, siç tha ajo, marrëdhëniet ndërshtetërore Kosovë-Mal i Zi do të thellohen edhe më tej, përcjell Klankosova.tv.
“Sot në ceremoninë inauguruese, e përgëzova Presidentin e ri të Malit të Zi, z. Jakov Milatoviq për detyrën, me besimin se përgjatë mandatit të tij marrëdhëniet tona ndërshtetërore do të thellohen edhe më tej. Këto marrëdhënie janë ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta demokratike, besimin e ndërsjellë dhe rrugëtimin e përbashkët euroatlantik. Ju priftë e mbara President Milatoviq”, ka shkruar Osmani në Facebook.