Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vlerësuar se ideja për pranimin urgjent të Kosovës në NATO nuk ka ardhur nga Prishtina, por nga lobistët shqiptarë dhe ka vlerësuar se qëllimi ishte që katër shtete të BE-së ta njohin Kosovën, sikurse që edhe Serbia të vihet para një akti të kryer.
“Për momentin nuk mund të vlerësoj se sa real është rreziku [i pranimit të Kosovës në NATO / shën.red.], por sigurisht jo një situatë naive për ne”, tha Vuçiqi, raporton SRNA.
Vuçiqi u tha gazetarëve në Kragujevc të Serbisë se kishte dëgjuar për idenë dhe mundësinë që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s nga shërbimet e Inteligjencës serbe shtatë muaj më parë.
“Kjo nuk është ide e Kosovës, por e disa lobistëve shqiptarë, duke përfshirë edhe SHBA-në. Është e rëndësishme për ta, sepse duan të detyrojnë katër vendet e BE-së që janë anëtare të NATO-s të njohin pavarësinë e Kosovës. Është një justifikim i lehtë për disa vende që ta pranojnë këtë dhe të thonë – duhet sepse nuk kemi rrugëdalje tjetër”, tha Vuçiqi, transmeton Zeri.info.
Së dyti, shtoi ai, është një përpjekje për ta vënë Serbinë para aktit të kryer, sepse dikush dëshiron të thotë – “vetëm ju mbeteni ta njihni pavarësinë dhe nuk keni zgjidhje”.Ai tha se sado që një shtet e njeh Kosovën dhe çfarëdo që dikush të bëjë, “dhe pavarësisht presioneve dhe shantazheve, Serbia, ndryshe nga ata, do t’u përmbahet ligjit ndërkombëtar, Kartës së OKB-së, do të respektojë integritetin territorial të vendeve të njohura ndërkombëtarisht dhe do të sillet në përputhje me të”.