Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka folur para gazetarëve lidhur me takimin që ka pasur me zyrtarin e DASH Derek Chollet dhe ka treguar detaje për kundërpërgjigjen që ia kishin kthyer BE-së, Gjermanisë dhe Francës për planin franko-gjerman, meqë propozimi ka qenë edhe temë diskutimi në takimin me Chollet.
Vuçiq në adresim ka deklaruar se në atë përgjigje përmes një non-paper kanë treguar vijat e kuqe të Serbisë sa i përket marrëveshjes me Republikën e Kosovës.
I njëjti ka treguar se pjesë e planit franko-gjerman është edhe njohja e Kosovës dhe ulësja e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, megjithatë ka thënë se Serbia s’pranon që të flasë për këto gjëra.
“Ne nuk duam të flasim për këtë, dhe është një pjesë integrale e planit, për gjithçka tjetër – mirë, nuk po them se do ta pranojmë, por mund të flasim, të shohim se çfarë mund të marrim, çfarë të tjerët mund të marrin”, theksoi Vuçiq.
Ndëkrohë ka folur edhe për diskutimet që ka pasur me Derek Chollet për Asociacionin. Vuçiq ka thënë se nuk e ka të qartë se si do të duket derisa thekson se është e mirë që u qartësua se Asociacioni duhet të bëhet.