Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, është adresuar pas takimit në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe ndërmjetësuesit evropianë.
Ai ka deklaruar se nuk është pajtuar dhe nuk ka fshehur asgjë, raporton “RTS”. Ka thënë se në Bruksel vetëm kanë biseduar dhe se nuk ka pajtim.
“Për mua është e rëndësishme që të përpiqem t’u tregoj njerëzve se çfarë po bëjmë gjatë gjithë këtyre muajve, sepse nuk bëhet fjalë për një letër dhe një takim. Dje në Bruksel kemi biseduar, nuk jemi pajtuar dhe asgjë më shumë se kaq”, tha Vuçiq.
Ai ka thënë se nuk i ka pëlqyer asgjë që ka dëgjuar në Bruksel dhe se një pikë nënkupton se Serbia do ta lejonte Kosovën të anëtarësohej në OKB.
Prandaj nuk kam nënshkruar. Jam i habitur sa naiv janë të gjithë. Ju nuk e dini se francezët dhe gjermanët e mbështesin një Kosovë të pavarur”.
Presidenti serb e ka quajtur shumë të paqartë deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell.
“Unë them se nuk kam çfarë të fshehi, kjo na është vendosur: merrni ose lëreni. Deklarata e Borrellit është shumë e paqartë, unë po flisja për një koncept apo një kornizë. Jemi të gatshëm të diskutojmë të gjitha temat, e kjo do të çonte në normalizim. Po, ne kemi nevojë për normalizim me shqiptarë. Por, këto nuk kanë lidhje me çështjet më të rëndësishme shtetërore. Për ne është shumë më e lehtë të besojmë se CIA shkaktoi tërmete në Turqi, kjo më shkakton turp se në këtë besojnë 25 për qind e njerëzve në këtë vend. Pra, pse jo në Moskë, por në Diyarbakir”, tha Vuçiq.
Vuçiq ka thënë se ka kundërshtuar qartë kur bëhet fjalë për “njohjen e ndërsjellë dhe pranimin e hyrjen e Kosovës në OKB”.
“Dua t’u them serbëve, mendoj se është e rëndësishme të flasim. Kur je në tryezën e bisedimeve, ata nuk mund të vendosin pa ty. Pra, ose këtë, ose i lëmë negociatat me të gjitha pasojat që pësuam në vitet e nëntëdhjeta, dhe rrënim të plotë ekonomik. Unë komunikoj shumë saktë dhe them: Serbia është e gatshme të punojë për zbatimin e shumë gjërave nga plani, por ne e bëmë një kundërshtim të qartë, të madh. Këtë ia thashë Macronit e Scholzit në Munich dhe gjithë liderëve të mëdhenj. Fjala është se nuk dua dhe nuk mund të bisedohet për njohje të ndërsjellë dhe për pranim e hyrje të Kosovës në OKB”.