Presidenti serb Aleksandër Vuçiq, gjatë një fjalimi në seancën e Kryesisë së partisë së tij ka vlerësuar se Serbia do të përballet me presion të madh në periudhën e ardhshme, sepse, siç ka pretenduar ai, dikush nuk po dëshiron formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, raporton KosovoOnline.
Ai kujtoi se Asociacioni është përcaktuar me Marrëveshjen e Brukselit.
Ai po ashtu ka thënë derisa Serbia po përballet me presione të mëdha, Kosovës iu dha liberalizimi i vizave duke shtuar se bashkësia ndërkombëtare ka pasur mundësi të bëjë presion ndaj Prishtinës me liberalizimin e vizave.
“Disa nuk do ta zbatojnë Asociacionin. Ne do të përballemi me presione të mëdha. Dhe në këtë mes u dhanë liberalizimin e vizave. Në periudhën e ardhshme do të jemi nën presione shtesë. Ata duan ta tërheqin Serbinë në konflikt me NATO-n. Nëse unë do të isha një lloj Putini, kurse Kurti është një lloj Zelensky. Për fat të keq, ata padyshim kanë mbështetjen e një pjese të komunitetit ndërkombëtar në këtë, sepse është fëmija i tyre”, tha Vuçiq.
“Ata nuk duan normalizim. Të gjithë së bashku duan poshtërimin e Serbisë. Sado që të përpiqen ta bëjnë këtë, unë ju them se nuk do të ndodhë. Nuk do të ndodhë as poshtërim, as kapitullim, as dorëzim. Ne jemi duke u përgatitur për bisedime të hënën dhe të martën Pas kësaj do të shkoj në Ohër, më besoni, as nuk e di pse po flasim. A duhet ta njohim Kosovën? Ju keni folur për asgjë”, ka deklaruar ai.