Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fjalimin e sotëm deklaroi se Serbia me kërkesë të Shkupit zyrtar, do t’i dërgojë 50.000 ton grurë dhe 25.000 ton misër në Maqedoninë e Veriut.
“Sot i kemi marrë nevojat e Maqedonisë së Veriut, na kanë kërkuar që t’i dërgojmë 50.000 ton grurë dhe 25.000 ton misër dhe mund ta dorëzojmë menjëherë, nuk kemi asnjë problem me këtë. Ata blejnë misër nga ne dhe ne do ta kemi gjithmonë për rajonin, për ne, për Maqedoninë e Veriut, për Malin e Zi, për Shqipërinë dhe për BeH-në”, deklaroi Vuçiq.
Sipas Vuçiq, Serbia ka sasi të mjaftueshme misri, për miell tip 500, për bukë dhe për gjithçka tjetër dhe si rrjedhojë nuk do të kufizojë eksportet.
“Në këtë moment ne nuk do të kufizojmë eksportin, jemi duke e monitoruar situatën dhe kemi përgatitur masa për të kufizuar eksportin e misrit dhe grurit në 20 për qind, nëse ka nevojë për këtë, por në këtë moment nuk ka nevojë për këtë”, tha Vuçiq.