Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot se nuk ka lojë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe se Serbia do ta mbajë fjalën dhe do të përmbushë pjesën e saj të punës kur edhe Kosova ta përmbushë obligimin e saj.
Vuçiq, në një konferencë për media me ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, Tobias Billström, tha se tani po thuhet shpesh se është e rëndësishme të fillohet procesi i formimit të Asociacionit.
“Puna është se ju formoni Asociacionin me kompetenca thelbësore dhe kur ta bëni këtë, Serbia gjithmonë e ka mbajtur fjalën dhe do të përmbushë pjesën e saj të punës. Nuk ka lojë. Vetëm kur ta përmbushni, ne do ta përmbushim pjesën tonë”, deklaroi Vuçiq, përcjell Kosovo Online.
Vuçiq tha se ndoshta Serbia do të bëjë diçka në mënyrë të njëanshme në shenjë vullneti të mirë, por se kjo nuk ka të bëjë fare me obligimin e Prishtinës.
“Është një detyrim që nuk është nënshkruar në shkurt ose më vonë por që ekziston që nga 19 prilli 2013”, nënvizoi ai.
“Ne në Serbi mund të jemi budallenj, por jo edhe aq. Ne patëm mundësinë të mësojmë nga ajo që po ndodh në botë. Kur të përmbushni detyrimin tuaj, atëherë do të fillojmë të punojmë me gëzimin më të madh për të përmbushur atë që publikisht kemi premtuar”, theksoi Vuçiq.
Vuçiq përsëriti se Serbia do të përmbushë gjithçka që ka thënë, por se nuk do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe agjensitë e saj të specializuara.
Shefi i diplomacisë suedeze në anën tjetër e uroi Vuçiqin për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit dhe tha se pret që të gjitha dispozitat dhe anekset të zbatohen menjëherë.