Në përkujtimin e 24 vjetorit të nisjes së bombardimeve të NATO-s në Beograd, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se ajo ishte dita “kur vdiq e drejta ndërkombëtare”.
“24 vjet më parë, ligji modern ndërkombëtar më në fund vdiq. Dhe kjo tingëllon si një fjalë e parëndësishme burokratike, por është shumë më tepër se kaq. Që atëherë, asgjë që ndodh nuk mund të jetë më e keqe se ajo që ata i bënë një vendi të vogël që ishte fajtor sepse donte të ishte i vetëm dhe si i tillë atyre nuk u pëlqente dhe krijuan një urdhër të ri,”- ka thënë Vuçiq, raporton Kosovo Online.
Më tej bëhet e ditur se Vuçiq ka thënë që “ata kanë arritur të shkatërrojnë shumë shtete të mëdha si Bashkimin Sovjetik, Jugosllavinë dhe në fund i kishte ardhur radha Serbisë e cila nuk donte të pranonte diktate.”
Sipas medias serbe në Kosovë, Vuçiq më tej ka thënë se fjala gjenocid e cila ishte përdorur si “justifikim për agresionin”, kishte qëllim për shkatërrimin e një kombi.
Vuçiq tutje ka thënë se “agresioni” ishte nisur për dy arsye – “njëra për të treguar se janë më të fortët dhe se mund të bëjnë gjithçka” dhe e dyta “për t’ia marrë Kosovën, Serbisë”.
Si përfundim Vuçiq ka shtuar se edhe tani Serbia është duke u përballur me një situatë të vështirë, por se kur i tregon vijat e saj të kuqe, askush nuk duhet të luajë me të.
“Kur themi se cilat janë vijat tona të kuqe, mos luani me to. Do të merrni përgjigjen e Serbisë krenare, heroike, dinjitoze. Dhe përgjigja jonë është – Serbinë nuk po ia japim dhe nuk do t’ia japim kurrë askujt,”– citohet të ketë thënë Vuçiq.