“Jam krenar për faktin që e kam mbështetjen më të madhe në Serbi pikërisht në Kosovë, pikërisht në mesin e “popullit tonë” në Kosovë”, ka thënë presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i ftuar në televizioni serb “TV Insajder”.
Ai ka thënë se po e mbron pjesën e Kushtetutës për Kosovën edhe pse kushtet janë “të pamundura”.
“Po e mbroj pjesën për Kosovën në veçanti, më besoni, në kushte dhe presione të pamundura. U përpoqa dhe arrita ta shpëtoja kur të gjithë të tjerët kanë hequr dorë. Kam arritur ta kthej në tavolinë çështjen e Kosovës dhe që sërish të flitet për Kosovën dhe sot e kësaj dite nuk dinë çfarë të bëjnë me ne”, ka thënë ai në këtë emision, transmeton Paparaci.
Ai ka shtuar se ndihet krenar për faktin se “ka mbështetjen më të madhe nga populli serb në Kosovë”.
“Jam krenar për faktin që e kam mbështetjen më të madhe në Serbi pikërisht në Kosovë, pikërisht në mesin e “popullit tonë” në Kosovë dhe Metohi”, ka thënë Vuçiq.
Në të njëjtin emision ai ka folur edhe për njohjen e tij me biznesmenin kontrovers nga Kosova, Zvonko Vesellinoviq, aktualisht një nga sipërmarrësit kryesorë në Serbi.
Është publikuar një regjistrim i vitit 2017 në të cilin presidenti serb flet se si “nuk e njeh Vesellinoviqin”.
Ai pas gati tetë vjetësh e ka përgënjeshtruar veten në këtë emision duke thënë se e ka takuar dy herë, në Beograd dhe në Mitrovicë, ku në fakt ishte për herë të parë.
“Atëbotë u grindëm sepse ai donte që Bora Pelleviqi të ishte kreu i Partisë Përparimtare Serbe për Mitrovicë, dhe unë doja që Kërstimir Pantiqi të bëhet kryetar”, ka vazhduar ai.
Borisllav Pelleviq – bashkëluftëtar i Arkanit dhe shefi i Partisë Përparimtare Serbe, dhe Kërstimir Pantiq, ish-kryetari ilegal i komunës së Mitrovicës.
Në emision ai është pyetur për punët që i janë dhënë Vesellinoviqit, për të cilën Vuçiq ka thënë se “kinezët e zgjedhin atë sepse ai e bën punën më të mirë”.
“Zvonko ka një kompani të mirë për punimet e dheut dhe të gjithë duan ta punësojnë për punët tokësore. Kjo është gjithçka që di. Nuk më ka dhënë asnjë dinar, nuk e takoj, as që di gjë…”.
Ndër të tjera, në komentin e gazetares Brankica Vesellinoviq se fillimet e Veselinoviqit ishin në barrikada dhe se ai e shfrytëzoi situatën për kontrabandë, e të gjitha këto me pretekstin se “Kosova është zemra e Serbisë”, Vuçiq ka thënë:
“Jam i sigurt se Veselinoviqi ka bërë gjithçka vetëm për të mirën e popullit të Kosovës. Unë jam i sigurt se ai nuk ka vjedhur asgjë nga populli i Kosovës, pasi unë di diçka nga burimet e inteligjencës. Disa njerëz ishin më të guximshëm për të furnizuar njerëzit tanë kur i mbyllën të gjitha burimet e tyre në Kosovë”.
“Ai ka pasur fitime nga punët në Serbi, nga kompania e tij që punonte me kinezët. Nuk e di se çfarë ka ndodhur para vitit 2012. Ai ka marrë punë edhe para vitit 2014 dhe i ka shkuar mirë”, ka thënë Vuçiq në këtë emision, me insistimin e gazetares që të kthehen në fillimet e biznesit të Vesellinoviqit.