Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se delegacioni i Kosovës nuk ka dashur të takohet me delegacionin serb në samitin e Komitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau – ku Kosovën po e përfaqëson presidentja Vjosa Osmani.
“Nuk u miratua nga liderët e tjerë. Situata në Kosovë, së bashku me Ukrainën, u bë temë kryesore e takimit të Komitetit Politik Evropian. Serbia gjithmonë dëshiron bisedime dhe mua më duket se tani është më e qartë se kush është përgjegjës për dhunën në Kosovë”, u tha Vuçiq gazetarëve.
I pyetur se kur e pret një takim dypalësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ai tha se nuk e di.
Ai tha se ulja e tensioneve në veri të Kosovës dhe vendosja e garancive për shmangien e veprimeve unilaterale ishin temat kryesore gjatë takimeve të tij me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.
Takimet u zhvilluan në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau – ku Kosovës po e përfaqëson presidentja Vjosa Osmani.
“Pas kësaj duhet të fokusohemi në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që u nënshkrua dhjetë vjet e gjysmë më parë me Marrëveshjen e Brukselit. Besoj se njerëzit tani e kanë një pasqyrë më të qartë të asaj që po ndodh, pavarësisht se a e njohin vendet e tyre Kosovën apo jo”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se nevojitet një zgjidhje e qëndrueshme kompromisi.
“Ne duhet të bindim njerëzit në Ballkan se kompromisi nuk është një gjë e keqe. Nuk është e lehtë, të gjithë janë të radikalizuar dhe askush nuk dëshiron të dëgjojë ide normale”, tha Vuçiq.
Duke iu drejtuar gazetarëve në Kishinau në margjinat e samitit të Komitetit Politik Evropian, Vuçiq përmendi se ka pasur një takim të shkurtër jozyrtar edhe me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
“U takova me një njeri që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiq, teksa shtoi se me Zelenskyn kanë diskutuar për integritetin territorial të Serbisë dhe Ukrainës.
“Ai më tha, siç i thashë, se ne e mbështesim integritetin territorial të vendeve tona. Ishte një takim shumë i shkurtër, nuk mund t’ju them më shumë se kaq”, tha Vuçiq.
Samiti po mbahet në një kohë tensionesh në veri të Kosovës. Situata në këtë pjesë u tensionua qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.