Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë ditës së premte pritet të takohet me ambasadorët e shteteve të QUINT-it në Beograd.
Kështu të paktën shkruajnë mediat serbe.
Sipas informatave jo-zyrtare të këtyre mediave, ambasadorët e QUINT-it pritet të prezantojnë presidentit serb, planin për zgjidhjen e përshpejtuar të çështjes së Kosovës, apo siç njihet ndryshe skenarin e prezantuar për para-marrëveshjen Kosovë-Serbi.
Një gjë të tillë në mënyrë të tërthortë e pati kumtuar edhe vetë Vuçiç, në një paraqitje televizive, një ditë më parë.
“Po pres të shohë se çfarë do të më dorëzojnë, sepse më thanë se kanë diçka për mua”, ka thënë Vuçiç, duke paralajmëruar se gjatë ditës do të takohet me ambasadorët e shteteve të QUINT-it.
Sipas këtij skenari, të cilën Albanain Post e ka parë ekskluzivisht nga burime ndërkombëtare, pajtimi i parë në mes të Kosovës dhe Serbisë, duhet të arrihet më së largu deri më 24 shkurt. Serbia në këtë fazë s’ka nevojë ta ndryshojë Kushtetutën e saj. Njëjtë, Kosova duhet ta themelojë Asociacionin, por pa e ndryshuar Kushtetutën.
Asociacioni nuk do të jetë një OJQ, megjithatë, për momentin, nuk do të themelojë nivel të ri të pushtetit. Nëse arrihet pajtim, ka pako financiare. Nëse nuk arrihet, “shkop të rëndë” për palën penguese. Urgjenca për marrëveshje lidhet me situatën në Ukrainë. Po që se dy palët refuzojnë të bëhen partnerë bashkëpunues, komuniteti ndërkombëtar ka një rrugë të tretë për të arritur në një formë tjetër atë që po e kërkon aktualisht përmes “Shuttle diplomacy”-së.