Ngjarja e rëndë që tronditi Prishtinën më 25 mars, ku Naser Gashi mbeti i vrarë nga Alban Gashi, ende është në qendër të diskutimeve, shkruan Gazeta Papirus.
Megjithatë, pas këtij akti tragjik, familjet e viktimës dhe të dyshuarit kanë vendosur të lënë mënjanë hasmërinë, duke falur gjakun dhe pajtuar mes vete, ndërkohë që çështja po vazhdon të ndjekë rrugën ligjore.
Viktima e rastit në Prishtinë është 62-vjeçar, pos plumbit ka edhe një therje me thikë në gjoks
Sipas burimeve të Gazeta Papirus, të shtunën, familja e Alban Gashit, i dyshuari kryesor për këtë rast, ka shkuar për kryeshëndosh te familja e viktimës, Naser Gashi, për një akt pajtimi.
Burime të besueshme të mediumit bëjnë të ditur se në këtë ngjarje të rëndësishme ishte i pranishëm edhe imami Sallah Feta, i cili udhëhoqi ceremoninë e faljes së gjakut.
Ky akt pajtimi, i rrallë në raste të tilla, u zhvillua me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të dyja familjeve, të cilët vendosën të lënë mënjanë hasmërinë dhe të kërkojnë drejtësi nëpërmjet rrugëve ligjore.
Ekipi i Gazeta Papirusit ishte gjithashtu i pranishëm në të pame ditën e shtunë, mirëpo nuk iu lejua të hyjë brenda apo të marrë pamje nga ceremonia. Sipas informacioneve tona, ekipi i televizionit ka tentuar dy herë të sigurojë qasje në ngjarje, por është ndaluar nga familjarët e pranishëm.
Ky pajtim i papritur mes familjeve Gashi vjen si një moment i rëndësishëm në një histori të ndërlikuar, duke dërguar një mesazh të qartë se, pavarësisht tragjedisë, ekziston ende hapësirë për dialog dhe zgjidhje paqësore të konflikteve.
Ngjarja ka marrë një vëmendje të madhe për shkak të rrethanave të saj të pazakonta. Kujtojmë se Alban Gashi, përmes një letre të dërguar nga avokati i tij Fanol Krasniqi, ka mohuar përfshirjen në vrasjen e Naser Gashit, duke pretenduar se ai nuk ka qenë shkaktari i drejtpërdrejtë i kësaj tragjedie.
Sipas letrës së publikuar nga Betimi për Drejtësi, zanafilla e problemit të Gashit me Miftarin (i njohur me nofkën Duqi) ka nisur në shtetin e Spanjës, kur Miftari kishte qenë në lidhje me një grua e cila më pas ishte lidhur me një person me emrin Alban (mbiemri i të cilit nuk dihet), por që ai kishte menduar se ishte vetë Gashi.
Gjithnjë sipas shkresës që Gashi ka dërguar te hetuesit përmes avokatit me arsyetimin për zbardhjen e rastit, thuhet se Miftari e ka sharë e ofenduar Gashin me anëtarë të familjes- gruan e vajzën e mitur, deri te kërcënimi për babanë e tij. Më pas, thuhet se Miftari i kishte shkuar Gashit edhe tek banesa ku e kishte kanosur me thikë, madje kishte tentuar ta therte.
Po ashtu, edhe pronarja e apartamentit ku banonte me qira Gashi, pretendohet se u kanos nga Miftari, e që ajo më pas e largoi Gashin nga apartamenti. Më pas, thuhet se Gashi u detyrua të ikë në Francë tek gruaja dhe vajza e mitur, e më 24 mars 2025 vjen në Kosovë në vizitë tek prindërit.
Në shkresë, thuhet se pasi mësoi vendodhjen e Miftar Miftarit, Alban Gashi bashkë me një person NN, shkojnë në vendin e ngjarjes, ku posedonte një armë të tipit TT, kurse miku i tij NN, një kallashnikov.
Gjithnjë sipas letrës, me të hyrë Gashi në lokal, Miftari kishte lëshuar një zë dhe kishte kërkuar nga mysafirët që të mos lëvizin dhe për një moment gjuan në drejtim të Gashit 4 herë, duke e plagosur në këmbën e djathtë.
Më tej, thuhet se pas zbrazjes së municionit nga ana e Miftarit, i njëjti repetit armën dhe afrohet në distancë të afërt dhe e godet dy herë në këmbë dhe një në dorë dhe më pas Gashi afrohet ia merr armën Miftar Miftarit dhe me të me pjesën e kondakut e godet disa herë në kokë dhe përfundimisht largohet në një vend të panjohur.
Alban Gashi pretendon se nuk ka mundësi që nga gjuajtja e tij të jetë goditur tani ndjeri N.G., por është goditur nga e shtëna e Miftarit.
Po ashtu, i dyshuari pretendon se nuk e kishte qëllimin të gjuajë në drejtim të Miftarit, por që ta rrihte për shkak të fyerjeve të rënda që ia kishte bërë kohë më parë ai. Por, me të hyrë në lokal Gashi ishte plagosur nga Miftari, e që pretendohet se u detyrua ta mbrojë veten e ta zbrapsë sulmin
Sipas Albanit, armën nuk e ka repetitë deri kur Miftari i ka shkrepur të gjithë fishekët që i kishte në revole.
Aty thuhet se informacionin për vendndodhjen e armëve që janë përdorur në rast, i dyshuari Gashi e kishte dhënë përmes avokatit, e që Policia i kishte gjetur tri armë zjarri në Makoc.
Në letër thuhet se në atë vend janë gjetur një pistoletë e të dyshuarit Gashi, një pushkë automatike e të dyshuarit tjetër dhe një pistoletë pronë e Miftar Miftarit. Arma e tipit “Mulli”, thuhet se është përdorur nga Miftari, e që këtë sipas tyre do ta vërtetojnë provat.
Përmes letrës, kanë kërkuar të dëshmojnë dy dëshmitarë, të cilët kanë qenë prezent në vendngjarje.
Alban Gashi pretendon se nuk ka shtënë në drejtim të asnjërit nga personat që gjendeshin në lokal, mirëpo gjuajta e tij në drejtim të Miftarit, ka ardhë pasi ai e plagosi.
Andaj, në letër pretendohet se Miftari kishte pasur mosmarrëveshjen me një person tjetër me emrin Alban dhe jo me të personalisht, kështu supozohet se ai e kishte përzier me atë person/Gazeta Papirus/