Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas rastit tragjik të vrasjes së 35 vjeçares e cila ishte në muajin e fundit të shtatzënisë.
Haradinaj ka thënë se për gjithë ngjarjen, fajtor është edhe kryeministri Albin Kurti, duke e akuzuar këtë të fundit se po e defunksionalizon sistemin e drejtësisë, duke përgjysmuar pagat për gjyqtarët e prokurorë, dhe se po i poshtëron policët duke i lënë me paga të dobëta.
Haradinaj thotë se ka qenë i pari që e ka quajtur Kurtin “mashtrues” dhe thotë se ka pasur të drejtë, derisa shton se s’do të kishte dëshirë që të jetë ui pari që do ta quante edhe “vrasës”.
Reagimi i plotë:
Albin Kurti është bashkëpjesëmarrës në krim!
Është dashur të ndodhë një krim makabër mbi një nënë dhe fëmijën e saj të palindur, që një popull i tërë të tmerrohet se deri ku ka shkuar krimi në këtë vend. E ndjera e kishte kërkuar ndihmën e shtetit, i cili fatkeqësisht së bashku me secilin prej nesh po vritet përditë e nga pak, por ai nuk e kishte mbrojtur.
Burimi i së keqës e i krimit në këtë shtet e ka një shkak, e ka një burim dhe e ka një kokë!
Një kryeministër që e defunksionalizon sistemin e drejtësisë në shtet duke i përgjysmuar pagat e gjyqtarëve e prokurorëve, që i poshtëron policët, i lë të leckosur e me paga mizerje, që i detyron mjekët ta braktisin punën e vendin sepse nuk mund të jetojnë nga puna e tyre, që e rrezikon funksionalitetin e sistemit shkollor duke i shtyer mësuesit të hyjnë në grevë për më shumë se një muaj, që vendin e shndërron në gogol të komunitetit ndërkombëtar…ai me ose pa vëtëdije është shndërruar në bashkëpjesëmarrës edhe në krimet makabre që po ndodhin përditë.
Kam qenë i pari që këtë kryeministër e kam quajtur “mashtrues” dhe sot edhe ata që më kanë kundërshtuar më së tepërmi, kanë rënë në fjalë të mia. Nuk kisha pasë dëshirë të jem i pari që këtë kryeministër ta quaj edhe vrasës!
https://www.facebook.com/RamushHaradinajOfficial/posts/695143351977016