Gjatë ditës së premte në Rrugën B, ka humbur jetën dizjaneri i njohur, Festim Isufi.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar Sibel Halimi nga LDK, e cila thotë se kjo ngjarje nuk është thjeshtë një tragjedi, është një alarm që kërkon vëmendje më të thellë dhe angazhim institucional.
Halimi thotë se po rritemi e po jetojmë në një shoqëri që nuk na mëson si të përballojmë emocionet dhe të respektojmë njëri tjetrin, ku thekson se ky boshllëk edukimi po mbushet me dhunë dhe me heshtjen tonë shpesh jemi bashkëfajtorë.
Postimi i plotë:
Dhuna nuk është më një përjashtim tragjik; ajo po bëhet pjesë e përditshmërisë sonë. E gjejmë në rrugë, në familje, në marrëdhënie që duhej të ishin të mbështetura në dashuri e mirëkuptim. Ajo është pasqyra e një krize të thellë kulturore dhe sociale që po na lëndon të gjithëve, në heshtje dhe në dhimbje.
Ngjarja e rëndë që ndodhi sot në Prishtinë nuk është thjesht një tragjedi. Është një britmë që kërkon të dëgjohet. Një alarm që kërkon vëmendje më të thellë dhe angazhim institucional. Sepse nuk kemi luksin të kthejmë kokën mënjanë; çdo vonesë, çdo neglizhencë, kushton jetë.
Po rritemi e po jetojmë në një shoqëri që nuk na mëson si të përballojmë emocionet, si të respektojmë tjetrin, si të ndërtojmë marrëdhënie të shëndetshme e të kujdesemi për mirëqenien mendore. Ky boshllëk edukimi po mbushet me dhunë dhe me heshtjen tonë, shpesh jemi bashkëfajtorë.
Nuk mjafton më të ndjejmë keqardhje vetëm pas tragjedive. Duhet të flasim, të dëgjojmë, të veprojmë.
Duhet të themi qartë: dhuna nuk ka vend në jetën tonë!