Mentor Kajtazi nga fshati Dumnicë ka mbetur i vdekur mbrëmë në bjeshkën e fshtatit Pakashticë të Podujevës. I njëjti dyshohet se u privua nga jeta aksidentalisht nga baxhanaku i tij, Florim Bunjaku, teksa kishin dalë për gjueti.
Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Rasti në polici është hapur si “vrasje nga pakujdesia” dhe “armëmbajtje pa leje”
“Fsh. Pakashticë, Podujevë, 12.01.2022-15:00-16:00 .Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë gjuetisë dyshohet se nga pakujdesia ka qëlluar me armë zjarri viktimën mashkull kosovar . Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante policore, prokurori i shtetit si dhe për shkak të terrenit të papërshtatshëm, kanë asistuar edhe FSK-ja për tërheqjen e trupit të pajetë. Trupi i pajetë, më pas është marrë nga mjekësia ligjore për obduksion . Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, ka njoftuar policia me anë të raportit 24-orësh.
Express mëson se ceremonia e varrimit të të ndjerit ka nisur sot në orën 15:00 në fshatin Dumnicë të Podujevës.
Ndërkohë, media lokale Llapi.info ka publikuar foton e viktimës.
Ndërsa fotoja e të dyshuarit është publikuar në faqen e Facebook-ut “Njoftime për Podujevë”.