Policia serbe ka gjetur arsenal armësh në një vilë që po përdorej nga autori i dyshuar për vrasjet masive afër Beogradit.
Më 5 maj, autoritetet në Serbi arrestuan të dyshuarin e sulmit që la të vrarë tetë persona.
I dyshuari, i identifikuar me inicialet U.B, është 21 vjeç.
Në deklaratën e policisë u tha se në vilën në fshatin Shepshin afër Mlladenovcit u gjet një karabinë, një pistoletë, dy shurdhues, një thikë për gjueti dhe pjesë të tjera të armëve, që besohet se janë përdorur nga i dyshuari.
Po ashtu, autoritetet kanë gjetur 164 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 13 fishekë për armë të gjuetisë, dhe municione të tjera për armë të ndryshme.
Në mesin e armëve që u gjetën në këtë shtëpi dhe në një ndërtesë në Vinjishte afër Kragujevcit, ishin edhe katër granata dore, municion për pistoleta, pajisje optike për armët, por edhe një pushkë automatike pa numër serik.
Në deklaratën e policisë nuk u tha se në pronësi të kujt ishte ndërtesa në Vinjishte, përderisa disa media kanë raportuar se i dyshuari është fshehur në atë shtëpi.
Policia serbe tha se i arrestuari dyshohet për vrasjen e pesë personave dhe plagosjen e gjashtë të tjerëve me armë zjarri në mbrëmjen e 4 majit në fshatin Orashje e Vogël, afër Smederevës.
Më pas, në fshatin Dubona afër Mlladenovcit, ai dyshohet se vrau edhe tre persona të tjerë, dhe la të plagosur edhe tetë persona.
Autoritetet thanë se i dyshuari më pas ndali një shofer taksie dhe e detyroi që ta dërgonte në fshatin Vinjishte, afër Kragujevcit, ku edhe u arrestua nga policia.
Mbi 600 oficerë policie morën pjesë në operacionin e arrestimit të të dyshuarit.
Policia ende nuk ka treguar për motivimin e mundshëm të sulmit.