300 qeli burgu në Qendrën e Paraburgimit që gjendet në fshatin Pasjak të Gjilanit (administrativisht, pas decentralizimit pjesë e Komunës së Novobërdës), shumë shpejt do të mbushen me rreth 300 të burgosur nga Danimarka. Në këmbim të kësaj marrëveshjeje, Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro nga shteti danez. Për zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar në fundin e vitit 2021, u zotuan ministrat nga të dyja shtetet. Por Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, votën “për” këtë marrëveshje po e quan raciste. Çka pritet të ndodhë?
Gjatë kësaj të premte, një delegacion deputetësh të kryesuar nga ministri i drejtësisë së Danimarkës, Pettër Hummelgaard së bashku me ekipen e ministrisë së drejtësisë së Kosovës, vizituan burgun e Gjilanit, për të parë nëse ajo hapsirë tashmë përmbushë standardet e kërkruara që 300 të burgosurit sipas legjislacionit danez, të vijnë e ta vuajnë burgun aty.
Nga Ministria e Drejtësisë, nuk u dhanë shumë detaje në lidhje me këtë vizitë: një postim i videos, ku shihen hapësirat brenda burgut, si dhe një tjetër postim në Gazetën “Java në MD”, ku thuhej se dy ministrat u zotuan për të zbatuar marrëveshjet.
“Deputetë nga Mbretëria e Danimarkës, të kryesuar nga ministri danez, Petter Hummelgaard, zhvilluan takim të përbashkët me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me ç’rast të dy palët theksuan përkushtimin në zbatim të marrëveshjeve paraprake të cilat janë në interest ë madh për të dyja vendet.”- thuhet aty.
Nacionale ka dërguar pyetje qysh nga vizita e ministrin danez në burgun e Gjilanit, për të kuptuar hollësitë e kësaj vizite, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk kemi marrë përgjigjje.
Kur pritet të vijnë të burgosurit?
Sipas Marrëveshjes krejt ky “operacion” pritej të kryhet në fillim të vitit 2023.
Por, edhe pse pritej që kjo marrëveshje të ratifikohej kohë më parë, kjo nuk ndodhi
Para 2 javësh, zv. Ministri Blerim Sallahu priti një delegacion nga shteti danez, nga ku u tha se ratifikimi i kësaj marrëveshje në Kuvend, do të ndodh shumë shpejt.
“Në këtë takim zv. Ministri Sallahu njoftoi delegacionin danez se marëveshjet e nënshkruara shumë shpejt do të dërgohen për ratifikim në institucionet përkatëse”,- u than ë njoftim.
KMDLNJ: Vota “për” marrëveshjen, votë “për” racizmin
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut e ka kundërshtuar ashpër këtë marrëveshje, duke kërkuar që e njejta të mos ratifikohet në Kuvend.
Në komunikatën e tyre për medie KMDLNJ, thekson faktin se shteti danez që prej kohesh ka nënshkruar këtë marrëveshje me Kosovën, ka pasur kohën e mjaftueshme që të ndërtoj në shstetin e tyre një burg tjetër. Madje sipas tyre kjo marrëveshje nuk ja “vlen” as ekonomikisht.
“Prej kohës kur është nënshkruar marrëveshja midis Danimarkës dhe Kosovës, autoritetet daneze kanë pasur kohë të mjaftueshme sikur edhe mundësi të mëdha materiale ta ndërtojnë një burg në Danimarkë apo të përshtatin një objekt ku do t’i vendosnin të dënuarit, asnjëri nga ta shtetas i Danimarkës. Qëllimi është se qartazi nuk duan të merren me ta prandaj ua shesin Kosovës për një afat 10 vjeçar, me një kompensim 210 milionë euro që kur të përpjesëtohet dhe hiqen investimet del të jetë një shumë e papërfillshme” – thuhet në komunikatë.
Tutje KMDLNJ, ka shfqur dyshimet e veta edhe në lidhje me menaxhimin e kësaj situate nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, duke përmendur aspektin e trjatimit brenda një sistemi unik juridik, e në anën tjetr dallimet jonormale të trajtimit brenda këtij sistemi.
“Me këtë marrëveshje humbësit më të mëdhenj do të jenë personat e privuar nga liria në Kosovë që, as përsëafërmi nuk do të trajtohen sikur të burgosurit e importuar nga Danimarka, në asnjë aspekt. Në aspektin afatgjatë, Shërbimi Korrektues i Kosovës do të jetë humbës i padiskutueshëm sepse për shkak të dallimeve jonormale të trajtimet brenda një sistemi unik juridik të një vendi, këta do të përballen me revoltën e të dënuarve vendas”.- thuhet aty.
Këshilli gjithashtu shton se të burgosurve që do të vendosen do t’u shkelen edhe të drejtat e njeriut.
“Të burgosurve që do të vendosen dhunshëm në Kosovë nga Danimarka do t’iu shkelen të drejtat e njeriut duke filluar nga trajtimi në baza raciste që ua bëjnë autoritetet daneze. Në Kosovë do të përballen me probleme të vizitave sidomos për fëmijët e tyre dhe anëtarët e moshuar të familjes”.Do të kenë probleme të trajtimit të rasteve të rënda shëndetësore të cilat nuk do të trajtohen brenda Burgut të Gjilanit.
Tutje Këshilli përmes kësaj komunikate shtuar se e kundërshtojnë këtë marrëveshje në mënyrë të fuqishme dhe se vota “për” këtë marrëveshje është votë “për” racizmin.
“KMDLNj e kundërshton fuqishëm këtë marrëveshje dhe, në një kohë të përshtatshme do t’i drejtohet të gjitha organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut sikur edhe autoriteve daneze. Vota për këtë Marrëveshje është votë për racizmin dhe për diskriminimin e personave të privuar nga liria”- është thënë në komunikatën e tyre.