Vonesat në ekzekutimin e pagave dhe gjendja e rënduar financiare në ndërmarrjen Trepça, ka bërë që partitë opozitare ta drejtojnë gishtin kah Qeveria Kurti, ndërsa mazhoranca i mohon vonesat.
Krahas këtyre problemeve, opozita thekson se ka probleme edhe sa i përket borxheve ndaj operatorëve ekonomik, të cilët e kanë sjellë para kolapsit. Nga VV-ja përmendin subvencionimin ndër vite.
Kryetari i Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, njëherësh deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, thotë se premtimet e Qeverisë Kurti s’janë realizuar asnjëherë dhe se gjendja e rënduar është për fajin e tyre.
“Njëri nga premtimet shumë të mëdha me pompozitet ishte i qeverisë Kurti që do ta rikthej, do ta rivitalizoj, do ta zhvillojë dhe profilizojë ndërmarrjen minerare Trepça. Tashmë po del që edhe në fund të mandatit rezultati është zero. Ndërmarrja është një situatë jashtëzakonisht të vështirë financiare për shkak të keqmenaxhimit të skajshëm, për shkak të politikave jo adekuate dhe jo profesionalizmit. Për shkak të neglizhencës dhe përbuzjes nga institucionet e shtetit, asnjë nga premtimet për ndërmarrjen Trepça, tash e katër vite Qeveria nuk i është përmbajtur edhe pse kishte paralajmëruar edhe pse kishte ligj, që kishim votuar ligjin për investime kapitale rreth 20 milionë as një cent nga këto investime nuk ka shkuar në ndërmarrjen Trepça”, ka thënë ai.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, veçse ky i mohon akuzat për gjendjen e rënduar në Trepça. Thotë se gjendja e Trepçës është shkak i keqqeverisjes nga e kaluara.
Sipas tij, Qeveria Kurti Trepçën e ka marrë me miliona euro borxhe, e që janë dashur sipas tij të paguhen nga kjo qeverisje.
“Nuk është ashtu ne e kemi marr Trepçën saktësisht me 20 milionë euro borxh që i ka lënë qeveritë e kaluar, saktësisht 20 milionë euro borxh. Mendoj që ky borxh është duke penguar ndërmarrjen me ec tutje sepse në ndërkohe që t’i gjenerojë të hyra, po ashtu duhesh me i përfunduar edhe obligimet paraprake që i ke pasur ndaj furnitorëve dhe ndaj institucioneve të tjera. Kjo është pak duke e vështirësuar edhe operimin”, ka deklaruar Muja, teksa përmend subvencionimin me mbi 25 milionë euro.”
“E dyta sa i përket investimeve nuk është e vërtetë ajo çfarë unë e di që qeveria e Kosovës në baza vjetore duhet të ketë deri me tani, që nga ardhja e qeverisë Kurti duhet të jenë të disbursuar diku mbi 25 milionë euro. Në ndërkohë që sa i përket planit është miratuar edhe një kredi për investime kapitale, megjithatë duhet të bazohemi në plane te prodhimit. Do të thotë duhet të ketë një plan konkret, një ristrukturim konkret që i mundëson ndërmarrjes të operoj në këmbët e veta. Është miratuar kredia nga qeveri e Kosovës në vlerë prej 40 milionë euro”, thotë ai.