Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e quajti hap të rëndësishëm aplikimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Ajo shkroi në Twitter të enjten se thelbësore është futja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, derisa shtoi se ritmi i integrimit të Kosovës “do të varet nga përkushtimi i saj për miratimin e reformave dhe përfundimin e suksesshëm të dialogut”.
“Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE është një hap i rëndësishëm. Është thelbësore të inkuadrohet i gjithë Ballkani Perëndimor në BE. Ritmi i integrimit të Kosovës në BE do të varet nga përkushtimi i saj për miratimin e reformave të nevojshme dhe përfundimin e suksesshëm të dialogut me Serbinë, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian”, deklaroi ajo.