Raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon ka reaguar për djegien e veturave në veri të Kosovës të cilat ishin me targa RKS.
Cramon ka thënë se djegia e veturave në Kosovë është absolutisht e papranueshme dhe duhet dënuar nga të gjithë.
“Djegia e veturave të ri-regjistruara në veri të Kosovës është absolutisht e papranueshme dhe duhet dënuar nga të gjithë. Autoritetet përkatëse duhet të ndjekin urgjentisht përgjegjësit për të siguruar stabilitet për komunitetin lokal.” – ka shkruar Cramon në Twitter.
Veprimet e bandave kriminale në veri të vendit nuk kanë të ndalur. Në dy ditët e fundit këto grupe kanë shtuar kriminalitetin ndaj pronave të qytetarëve të rëndomtë në atë pjesë të Kosovës
Policia e Kosovës ka njoftuar se pas mesnatës janë djegur edhe tri vetura të qytetarëve serb të Kosovës në veri të Kosovës. Kjo ka ndodhur një ditë pas djegies së dy veturave tjera.
Veturat ishin të regjistruara me tabela RKS, e gjendeshin në rrugë të ndryshme të Mitrovicës së Veriut.