Më 2 mars 1999, në muajin kur nisën bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe, kryeministri aktual Albin Kurti kishte dhënë dorëheqje nga zyra e Adem Demaçit.
Azem Vllasi, i cili ishte pjesë e kësaj zyre, ka treguar për Demokracia.com se Demaçi i kishte thënë se Kurti i ndihmonte me çështje teknike dhe me kompjuterë.
Për pozitën që mbante në këtë zyrë, Albin Kurti herë përshkruhej si asistent i Demaçit, herë si përkthyes, raporton Demokracia.com.
“Unë prej gjysmës që u formu ajo zyre politike e Demaçit, më ka thirr Ademi dhe kam qenë të ai në cilësinë e këshilltarit për komunikim me media të jashtme dhe me diplomatë të huaj, të lidhur me Kosovën, luftën e UÇK-së. Unë kur kam shku herën e parë në zyrën e Demaçit, në anën e djathtë e kishte ai zyrën, në anën e majtë i pashë nja dy të rinj, një me flokë të mëdha të shkurtuara rrafsh. E pyeta Ademin kush janë, m’i tha të dy emrat dhe e mbajta mend këtë Albin Kurti, tha po më ndihmojnë për disa çështje teknike me kompjuterë. Pastaj, ne kemi qenë, unë kam qenë në komunikim të përhershëm me Ademin, derisa kanë fillu bombardimet më 24 mars. Pastaj, kemi humb, jemi shpërnda, e di që Ademi ka mbet diku në Prishtinë, unë dy ditë pas bombardimeve kam shku në Kamenicë dhe më asgjë nuk di. Vetëm pasi ka përfunduar fushata dhe është çliruar Kosova kam dëgju se serbët kanë marrë me autobusë shqiptarë të burgosur, që kanë qenë nëpër burgje në Kosovë e Dubravë dhe i kanë dërgu në Serbi, mes tyre ka qenë edhe Albin Kurti. Nuk di (kur ka dhënë dorëheqje Kurti), nuk e mbaj mend, nuk kam dëgju që ka dhënë dorëheqje”, ka thënë Vllasi për Demokracia.com.
Njëjtë si Kurti, edhe Vllasi e ka marrë statusin e veteranit. Ai ka treguar se ishte thirrur nga zyra e Adem Demaçit për të plotësuar një formular për pjesëmarrje në luftë, ani pse vetë tregon se nuk kishte luftuar me armë.
“Po e kam marrë statusin e veteranit. Më kanë thirr pas luftës me plotësu një formular. Pas lufte, më kanë thirr me plotësu formularin për pjesëmarrjen time në luftë. Pak u habita, se unë me pushkë në dorë nuk kam qenë në luftë. Me kanë thirr prej zyrës së Adem Demaçit, ishte një Shefqet Sylejmani, më tha ka thënë Ademi duhesh me plotësu një formular. Më pyeti, çka ke qenë, emrin-mbiemrin, shënimet e mia, këshilltar politik, kaq”, ka thënë Vllasi.
Demokracia.com ka biseduar më herët edhe me Afrim Muçiqin, një koleg tjetër të Kurtit nga zyra e Adem Demaçit. Muçiqi në detaje e ka shpjeguar edhe dorëheqjen e Kurtit, e cila është diskutuar shumë ditëve të fundit.
Gjatë ditës së djeshme është publikuar dokumenti që përmban dorëheqjen e Kurtit nga zyra e Demaçit.
Në këtë letër të dorëheqjes kritikohej edhe marrëveshja e Rambujesë, e cila i liroi rrugën bombardimeve të NATO-s, raporton Demokracia.com.
Megjithatë, sipas këtij dokumenti, zyra e Demaçit konsideronte se kjo marrëveshje nuk do të sillte paqe në Kosovë, por vetëm gjakderdhje.
Ditë më parë, Kurti ka paralajmëruar një riverifikim të listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, derisa edhe vetë gëzon një status të tillë. Sipas tij, në Kosovë nuk janë as mbi 20 mijë veteranë të UÇK-së./Demokracia.com