Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të mos kërkojë zbatim të marrëveshjes për diçka që nuk është pjesë e saj.
Ajo ka thënë se Kosova nuk mund të dalë përtej asaj që është shkruar në marrëveshje dhe se interpretimet e tilla, sipas saj, nuk i ndihmojnë procesit të dialogut.
Osmani ka kërkuar se pret që edhe interpretimet e miqve të Kosovës të jenë në përputhje me tekstin e marrëveshjes.
Osmani ka thënë se Kosova do të vazhdojë të ketë qasje konstruktive në dialog, derisa sipas saj, do të kundërshtojë idetë që minojnë sovranitetin dhe integritetin territorial.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se marrëveshja me Serbinë e ka brenda edhe Asociacionin, por që sipas tij, ky mekanizëm nuk është kryesori në këtë dokument.
Ai ka kërkuar zbatim të plotë të marrëveshjes dhe të mos jetë përqëndrimi vetëm te neni shtatë i saj.
Kurti ka thënë se kanë vërejtje për propozimin e ndërmjetësit evropian të dialogut, Miroslav Lajçak për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes.
Kreu i ekzekutivit kosovar ka thënë se kanë kërkuar nga Lajçak që të jetë i balancuar dhe gjithëpërfshirës.
Ndërkaq, ka kërkuar nga BE-ja që të hiqet referimi i Kosovës me asterisk, fusnotë, pas marrëveshjes me Serbinë, e cila sipas tij, është bërë pjesë e konkluzioneve të Këshillit Evropian.
Kurse, i pyetur për modelin e Tirolit Jugor për Asociacionin në Kosovë, Kurti ka thënë se ka modele të shumta që po fliten.
Ndërkohë, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka kërkuar që të dyja palët t’i mbahen zotimeve për zbatimin e marrëveshjes.
“Kosova është zotuar që të filloj procesin e themelimit të Asociacionit. Serbia gjithashtu duhet të filloj me implemtimin e detyrimeve të veta. Ne presim se nuk do ta kundërshtoj Kosovën në anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe t’i njeh dokumentet.”
Tomas Szunyog – Ambasador i BE-së në Kosovë
Edhe ambasadorët e Francës e të Suedisë kanë kërkuar të ketë implementim të marrëveshjes së Ohrit, si dhe krijim të dialogut në mirëbesim.