Azilantë, delikuentë e ligjshkelës nga vende të treta, kryesisht nga Maroku, do të vuajnë dënimin jo në Belgjikë, por në Kosovë. Burgjet e Harenit, Sint-Gillisit dhe Vorstit do të zbrazen nga mbipopullimi përmes një marrëveshje që Belgjika po synon ta lidhë me institucionet e Kosovës. Shteti belg, sipas këtij shestimi, do të merrte me qira qendra korrektuese në Kosovë në vlerë prej 202 milionë eurosh. Një marrëveshje të tillë, Qeveria Kurti e ka bërë edhe me Danimarkën ku, për hir të 210 milionë eurove, vendi ynë nga 2027-a do të mbajë të burgosur danezë, transmeton Gazeta Papirus.
Col Mehmeti
Burgjet me qira duket të jenë ‘investimet’ e vetme për të cilat u fol për katër vite të qeverisjes së Vetëvendosjes.
Me 800 milionë euro investime të huaja të drejtpërdrejta, sa llogaritet që pati vitin e kaluar, Kosova është në shoqëri vetëm të Bosnjës për nga niveli i ulët i investimeve.
Së fundmi, Belgjika e ka bërë të njohur synimin e vet për të marrë me qira burgje në Kosovë ashtu që ta lehtësojë barrën e mbingarkimit.
Këtë e kishte paralajmëruar edhe vetë ish-ministri i Drejtësisë, Vincent Van Quickenborne, i cili në një fjalim në Parlamentin belg kishte thënë se Kosova është një opsion viabël – duke ndjekur shembullin e Danimarkës.
Vlerësohet se një projekti të tillë do t’i lidhej ‘thesi’ me rreth 202 milionë euro.
Belgjika e ‘mbipopulluar’ prej të burgosurve
Paralajmërimin belg e ka pasqyruar sot edhe mediumi ‘BalkanEU’, ku ndër të tjerash ka dhënë edhe sfondin e problemit që e shtyu shtetin belg ta konsiderojë një mundësi të tillë.
“Belgjika prej vitesh përballet me çështjen e mbipopullimit të burgjeve. Sistemi i burgjeve në këtë vend ka vepruar përtej kapacitetit të vet, duke çuar në shqetësime për sigurinë dhe mirëqenien e të burgosurve dhe stafit”, shkruan ky medium.

“Gjendja e ka shtyrë qeverinë belge për të kërkuar zgjidhje risimtare, përfshirë vendosjen e mundshme të të ndaluarve në vende të tjera”.
Sipas statistikave belge, ‘popullata’ e burgjeve e tejkalon numrin prej 12 mijë vetash, ndërkohë që kapaciteti zyrtar është rreth 9 mijë.
Qira prej 202 milionë eurosh
Siç shkruan ‘BalkanEU’, propozimi për të marrë burgje me qira në Kosovë është “pjesë e një strategjie të gjerë për të menaxhuar numrin në rritje të të burgosurve.”
Sipas Van Quickenborne, Kosova paraqet një opsion serioz për ta adresuar këtë çështje.
Me një kosto të vlerësuar prej 202 milionë eurosh, kjo nismë parasheh që, përmes ndërtesave të burgjeve që do të merren me qira në Kosovë, të akomodohet një pjesë e ndjeshme e të burgosurve belgë.
Kështu, qeveria belge është duke i vlerësuar implikimet logjistike për sa i përket bartjes së këtyre të burgosurve.
Kjo nismë pason atë të Danimarkës e cila çështjen e mbipopullimit të burgjeve e ka zgjidhur përmes marrjes me qira të burgjeve në vende të tjera – në të vërtetë, ky del të jetë trend në rritje mes shumë shteteve evropiane të cilat po kërkojnë zgjidhje të jashtme për sfidat e brendshme të sistemit penal.
Ndryshim i peizazhit ndërkombëtar të të burgosurve
Ndërkohë, në mediat e politikën belge janë ngritur pikëpyetje mbi ndikimet e bartjes potenciale të të burgosurve në Kosovë.
Një nga këto ka të bëjë me të drejtat e njeriut, që të sigurohen të burgosurit sa kohë mbahen në ndërtesa të huaja.
Sfidë tjetër është edhe rehabilitimi si dhe perceptimi publik, më saktë reagimi i publikut përballë idesë së dërgimit të të burgosurve jashtë vendit.
“Ndërsa Belgjika ecën në krizën e saj të mbipopullimit, propozimi për të marrë burgje me qira në Kosovë përfaqëson një ndryshim të ndjeshëm në atë sesi shtetet mund t’i qasen problemeve të ngjashme. Rezultati i kësaj nisme mund të vërë një precedent për shtetet e tjera që përballen me sprova të ngjashme, duke e riformësuar potencialisht peizazhin e menaxhimit ndërkombëtar të burgjeve”, thuhet në fund të artikullit.
Në mediat belge, sa herë që është tjerrë kjo mundësi, janë shpalosur edhe statistika mjaft sikletndjellëse.
Për shembull, në vitin 2022 për çdo muaj 505 të burgosur pa të drejtë qëndrimi janë ndaluar në burgjet e Harenit, Sint-Gillisit dhe Vorstit.
Kjo i bie që, për vitin në fjalë, burgjet belge kanë mbajtur 3201 të burgosur pa të drejtë qëndrimi në Belgjikë.
Bisedime në rrugë e sipër
Se bisedimet për qirramarrje burgjesh në Kosovë janë në rrugë e sipër, këtë e konfirmoi muajin e kaluar edhe vetë ministrja e Drejtësisë në Qeverinë federale belge, Annelies Verlinden.
Në një paraqitje në Parlamentin belg, ajo kishte thënë se Kosova është opcion serioz, teksa kishte paralajmëruar se përshtatja e ndërtesave për burgje, sipas standardeve evropiane, kërkon kohë.
Qesës së shtetit belg, kjo do t’i kushtonte 202 milionë euro që Kosovës do t’i jepeshin për dhjetë vjet.
‘Vizioni’ i Kurtit për ekonomi: jep burgje me qira
Vizioni i Qeverisë Kurti kishte qenë i tillë prejse erdhi në pushtet.
Më 2022, Mbretëria e Danimarkës dhe Republika e Kosovës nënshkruan një traktat “mbi përdorimin e ndërtesës korrektuese në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.”
Kjo marrëveshje ia bënte të mundur qeverisë daneze që t’i bartë në Kosovë deri në 300 shtetas nga vende të treta, të cilët do të vuanin dënimin në vendin tonë.
Me negociatat që zgjatën për disa vite me radhë, me ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu si një nga protagonistet kryesore, marrëveshja u miratua nga Kuvendi i Kosovës më 23 maj të vitit të kaluar.
Sipas neneve të marrëveshjes, Kosova do të marrë 15 milionë euro në vit, kurse me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, edhe 5 milionë euro shtesë.

Praktika jodemokratike
Në ndërkohë nuk kanë munguar as zërat kritikë për një marrëveshje të tillë.
Në një analizë të afishuar nga Instituti Think Tank ‘Re-ACT Lab’, trendi shqetësues i plot vendeve të BE-së përfshirë eksternalizimin e sfidave të brendshme në vende të treta, përfaqëson praktika jodemokratike dhe potencial për cenim të të drejtave të njeriut.
“Shpejtësia e këtij procesi [me rastin e marrëveshjes Danimarkë-Kosovë – v.j] ngre pyetje urgjente dhe shqetësime për të dyja vendet dhe bashkësinë ndërkombëtare”.
Të burgosurit danezë vijnë më 2027
Më 18 mars të këtij viti, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu kishte zhvilluar një vizitë zyrtare në Kopenhagë.
Në takimin e bërë me homologun e saj danez, Peter Hummelgaard, ishte folur ndër të tjerash edhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.
Ministri danez, në një prononcim për mediat nga Kosova, e kishte përmendur edhe marrëveshjen e realizuar për burgun në Pasjak të Gjilanit.
Sipas tij, Danimarka e ka zgjedhur për shumë arsye Kosovën, duke iu referuar bashkëpunimit të mirë ndër vite.
“Danimarka ka qenë nga vendet e para që e ka njohur Kosovën. Nuk kemi pasur bashkëpunime të ngjashme me shtetet e tjera”, kishte thënë Hummelgaard, teksa kishte paralajmëruar se pranvera e vitit 2007 do të jetë ardhja e të burgosurve nga Danimarka në Kosovë.
Qendra korrektuese me 300 qeli gjendet në Pasjak, jo larg qytetit të Gjilanit, është e paraparë për t’i akomoduar rreth 300 të burgosur nga Danimarka.
Marrëveshja me Danimarkën ishte kundërshtuar edhe nga Këshilli për Mbrojtjen dhe Lirinë e të Drejtave të Njeriut.
Në një komunikatë për medie, ky Këshill kishte tërhequr vërejtjen se marrëveshja në fjalë mbart rreziqe të mëdha për Shërbimin Korrektues të Kosovës.
“Të burgosurit që do transferohen nga Danimarka nuk janë shtetas danezë por të vendeve tjera e që janë dënuar në Mbretërinë e Danimarkës dhe të cilët, pak para se ta përfundojnë dënimim në Kosovë do të kthehen në Danimarkë për t’u dëbuar në shtetet dhe vendet e origjinës”, ishte thënë në kumtesën e KMDLNj-së.