Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku gratë dhunohen në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe me anëtarët e tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
E në shumë raste të dyshuarit janë recidivistë të dhunës, por që si pasojë e dorës së butë të shtetit në shqiptimin e dënimeve, ata i përsërisin këto vepra, e madje në shumë raste duke përfunduar edhe tragjikisht.
Në Polici dje kanë përfunduar edhe një çift nga fshati Verban i Vitisë, pasi një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 49-vjeçari është emër i njohur për organet e Drejtësisë, pasi që edhe më pas ka qenë i dënuar për vepra të njëjta.
Gruaja e cila ka denoncuar rastin në Polici ka deklaruar se i shoqi ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj dhe e ka akuzuar për çështje morale.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.