Kosova këtë vit ka organizuar dy palë zgjedhje, ndërsa ajo që i ka karakterizuar së tepërmi ato është ndryshimi i madh në përkrahje që kanë pësuar partitë politike brenda pak kohës. Në zgjedhjet e 14 shkurtit Lëvizja Vetëvendosje mori më shumë se 50 përqind të votave, por zgjedhjet lokale ndryshuan gjithçka që ishte vendosur më 14 shkurt përsa i përket përkrahjes së qytetarëve ndaj partive politike.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje mori 50,28 përqind të totalit të votave, ose 438,335 vota gjithsej nga numri total i votuesve, shkruan lajmi.net.
Partia Demokratike e Kosovës kishte dalë e dyta në këto zgjedhje, megjithatë shumë larg Lëvizjes Vetëvendosje. PDK kishte mbledhur 148,285 vota ose 17,009 përqind të totalit të votave në zgjedhje.
Rënien më të madhe e kishte pësuar Lidhja Demokratike e Kosovës e cila mori vetëm 12,731 përqind të votave, ose saktësisht 110,985 vota në total.
E katërta në zgjedhjet e përgjithshme kishte dalë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 62,111 vota ose 7,124 përqind të votave.
Por, ndryshimet në Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, ndryshuan shumëçka sa i përket përkrahjes me votë në Kosovë. Vetëm disa muaj më vonë në zgjedhjet lokale, PDK dhe LDK lanë shumë mbrapa Lëvizjen Vetëvendosje me numër të komunave të fituara, e VV vet pësoi rënie drastike në përkrahje.
Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet lokale në Kosovë mori vetëm 4 komuna, më pak se PDK, LDK, por edhe më pak se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Rikthimi i PDK-së:
Vitin 2021, Partia Demokratike e Kosovës e kishte nisur me Enver Hoxhajn si Ushtrues Detyre i Kryetarit të Partisë, ndërsa në mes të vitit 2021 u mbajt Kuvendi Zgjedhor i Partisë Demokratike të Kosovës ku kryetar i këtij subjekti politik u zgjodh Memli Krasniqi.
Krasniqi për pak ditë mblodhi rreth vetës kryesinë dhe nisi të konsolidonte partinë e cila në vitin 2021 kishte hyrë ende pa u këndellur nga ikja e dy ish-krerëve të vet, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit të cilët edhe aktualisht po mbahen në paraburgim nga Gjykatën Speciale në Hagë.
Nga 17,009 përqind sa kishte marrë në Zgjedhjet e Përgjithshme, Partia Demokratike e Kosovës kishte arritur të fitojë më së shumti komuna në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, gjithsej 4 shto këtu edhe dy kryeqendra si Ferizaji e Mitrovica.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve, Partia Demokratike e Kosovës fitoi edhe 4 komuna të tjera. PDK arriti të rikthejë besimin në një bastion të vjetër të subjektit politik.
Ringjallja e LDK-së:
Ardhja në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës e Lumir Abdixhikut sikur e rifreskoi partinë. Pas goditjes së madhe që ky subjekt politik e kishte marrë në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë, arriti të rikthehej fuqishëm në zgjedhjet lokale.
Nga një subjekt politik që mori vetëm 12 përqind, për pak muaj, Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet lokale arriti t’i marrë në udhëheqje 4 komuna, duke rikthyer kështu edhe besimin e qytetarëve të Prishtinës me kandidatin për kryetar komune, Përparim Rama.
Lidhur më këtë, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku deklaroi se është vetëm fillimi i rikthimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës si partia e parë në vend.
Rënia e LVV-së:
Nga një subjekt politik me mbi 50 përqind përkrahje, Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti të radhitej as e treta në zgjedhjet lokale në Kosovë. Ky subjekt politik, i udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti në zgjedhjet lokale në Kosovë arriti t’i fitojë vetëm 4 komuna.
Për rreth 8 muaj nga data e 14 shkurtit, kur Lëvizja Vetëvendosje kishte arritur t’i mbledhte mbi 50 përqind, zgjedhjet lokale në Kosovë i dhanë një “goditje” këtij subjekti politik duke i dhënë jo më shumë se 22 përqind të totalit të votave.
Rënia e madhe në votë nga Lëvizja Vetëvendosje u arsyetua me potencimin se kandidatët nuk kanë qenë të denjë dhe se zgjedhjet lokale dallojnë nga zgjedhjet parlamentare, por kjo rënie nga ekspertët e politikës u konsiderua si humbje e besimit në këtë subjekt politik.