Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, i ka shtuar edhe një kërkesë shtesë tri kërkesave të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, i cili i bëri dje publike pas takimit me presidenten Vjosa Osmani dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Von Cramon kërkon që të ketë hetim të plotë dhe ndjekje penale për ata që sulmuan ushtarët e KFOR-it.
“Një kërkesë shtesë, por thelbësore: Hetimi dhe ndjekja e plotë e autorëve të sulmeve kundër ushtarëve të KFOR-it. Ne të gjithë jemi jashtëzakonisht mirënjohës për gjithçka që trupat e NATO-s-KFOR bëjnë dhe u urojnë atyre një shërim të shpejtë”, ka shkruar ajo.
Borrell dje pas takimit tha se kanë tri kërkesa të qarta:
– Zgjedhjet e reja lokale tani
– sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës
– Fillimi i punës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nën dialogun e lehtësuar nga BE-ja
“Dështimi për ta bërë këtë, do të ketë pasoja të rënda për marrëdhëniet tona”, tha Borrell.